Sot 12 vite nga protesta e 21 janarit 

AKTUALITET


Sot shënohen 12 vite nga një prej ngjarjeve që ka shënjuar më së shumti historinë e të paktën këtyre 32 viteve demokraci në Shqipëri, krimi i rëndë i 21 janarit 2011, kur u vranë në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ 4 protestues opozitarë nga armët e punonjësve të shtetit.

Sot 12 vite më pas ende nuk është bërë ‘paqe’ me atë që ka ndodhur, pasi familje që kanë humbur të dashurit e tyre por jo vetëm, edhe shqiptarët që duan që ngjarje të tilla të mos ndodhin më, kërkojnë të vendoset drejtësi. Aktualisht ka vetëm një  çështje në Prokurorinë e Tiranës dhe është ajo e vrasjes së Aleks Nikës, teksa predha që e la atë të vdekur është dërguar për ekzaminim në Itali. Vrasja e Aleks Nikës mbetet ende pa autor pasi drejtësia shqiptare s’ka mundur të faktojë se nga cila armë është qëlluar predha që i mori jetën Lezhjanit.

Por kërkohet të mos mbetet vetëm këtu. Çështja sipas familjarëve por edhe përfaqësuesve të mazhorancës duhet t’i kalojë SPAK-ut, për të vënë dorën në fajtorët e vërtetë. Ishte kryetari i grupit parlamentar socialist dje, Taulant Balla, nga Roskoveci i ka bërë  thirrje dosja e vrasjes së Aleks Nikës t’i kalojë Prokurorisë së Posaçme.

“Dosja në ngarkim të zyrtarëve më të lartë të asaj kohe, jo vetëm Gardës së Republikës, jo vetëm Ministrisë së Brendshme por edhe atyre në krye të qeverisë. Personat e përfshirë në atë që e quan ‘krim shtetëror’, hyjnë në juridiksionin e SPAK”, tha Balla.

Por nga ana e atyre që para 12 viteve ishin në krye të Qeverisë gjithçka duhet të mbyllet. Ish Kryeministri Sali Berisha është shprehur se për këtë ngjarje të rëndë është bërë një hetim i plotë.

4 të vrarët “Dëshmorët të Atdheut’
Në vitin 2021, teksa shënonte 10-vjetori e krimit të rëndë të 21 janarit kryeministri Rama i shpalli “Dëshmorë të Atdheut” 4 protestuesit që u vranë në  bulevardin Dëshmorët e Kombit. 4 viktimat  Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj u nderuan përmes një ceremonie të posaçme teksa, Kryeministrit Rama tha se ata ndikuan në  ndryshimin e marrëdhënies së qeverisë në raport me protestën dhe transformimin e sistemit të drejtësisë.

Çfarë ndodhi më 21 janar 2011
E gjitha nisi pas skandalit me videon Meta-Prifti, ku flitej për koncesion dhe kjo shtyri që të organizohej një protestë kundër këtij korrupsioni siç e quante atëherë Partia Socialiste. Ishte ora 14:00, kur protestuesit përshkuan rrugën në këmbë nga sheshi “Skënderbej” deri para Kryeministrisë, pasi policia kishte ndërmarrë masat që të mos lejonte asnjë autobus më tej. Turma nisi me thirrje kundër kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha, ndërkohë që vetëm pak minuta më vonë, filloi hedhja e gurëve dhe sendeve të forta në drejtim të forcave të rendit.

Situata u tensionua pasi protestuesit tentuan të hynë në oborrin e kryeministrisë, ndërsa policia mbronte ambientin e brendshëm. Për një moment nisën të dëgjoheshin të shtëna armësh brenda territorit të kryeministrisë, dhe këto të shtëna lanë të vdekur Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikajn. Ky i fundit, pas mjekimit paraprak në Spitalin Ushtarak të Tiranës, është dërguar për kurim të mëtejshëm në Turqi, ku dhe vdiq pas disa ditësh.

Kryeministri Berisha doli në konferencë për shtyp, duke deklaruar se donin t’i bënin puç, ndërkohë që opozita u shpreh se shteti nëpërmjet Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit, ka vrarë katër qytetarë të pafajshëm shqiptarë dhe ka mbytur në gjak një demonstrim paqësor, që është e drejtë kushtetuese e qytetarit.

Partia Socialiste akuzoi si urdhërues të vrasjeve kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm. Por, Berisha nuk u ndal vetëm me akuzat për PS-në, ai sulmoi ashpër Prokurorinë, SHISH-in dhe Presidentin e Republikës, të cilët, sipas tij, donin ta rrëzonin me dhunë.

Hetimi i parë çoi si të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin dhe Agim Llupon. Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite.



Skip to toolbar