OSBE-ODIHR injoron anulimin e Metës: Më 30 qershor do monitorojmë zgjedhjet

Më të fundit


Vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE-ODIHR kanë hartuar një raport të ndërmjetëm për zgjedhjet vendore të 30 Qershorit, duke injoruar kështu dekretin e anulimit të zgjedhjeve nga Presidenti Meta. Kjo edhe për faktin se OSBE-ODIHR ka njoftuar që në ditët në vijim do të zgjerojë ekipin e vëzhgimit që do të operojë ditën e zgjedhjeve, pavarësisht se Presidenti Meta ka deklaruar se nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor.

 “Me ftesë të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe bazuar në rekomandimin e Misionit të Vlerësimit të Nevojave të zhvilluar nga data 19 deri më 21 mars, Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) ngriti Misionin e Vëzhgimit të Zgjedhjeve (MVZ) më23 maj. “MVZ-ja, e kryesuar nga Ambasadorja Audrey Glover, përbëhet nga një ekip bërthamë prej 13 vetash i vendosur në Tiranë dhe 18 vëzhgues afatgjatë të dërguar në të gjithë vendin më 1 qershor. Anëtarët e misionit vijnë nga 22 shtete pjesëmarrëse të OSBE-së. ODIHR-i u ka kërkuar Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së të dërgojnë 250 vëzhgues afatshkurtër për të vëzhguar procedurat në ditën e zgjedhjeve”, thuhet në raport.

OSBE ka theksuar në raport se mazhoranca po shkon në zgjedhje ndonëse në 31 bashki nuk ka kundërshtarë, ndërkohë që ka cekur edhe protestat e vazhdueshme të opozitës dhe faktin që 27 kandidatë të opozitës nuk po kandidojnë në zgjedhje.

‘Presidenti Meta ka ofruar në mënyrë të përsëritur të lehtësojë dialogun mes palëve dhe në fund të muajit maj shprehu vullnetin për shtyrjen e zgjedhjeve. Më 10 qershor, duke iu referuar përgjegjësisë së tij kushtetuese për të mbrojtur pluralizmin dhe shqetësimeve për sigurinë publike, ai dekretoi shfuqizimin e dekretit për vendosjen e datës së zgjedhjeve. Më 11 qershor, PS-ja inicioi një debat në Parlament në lidhje me vlefshmërinë e dekretit për shfuqizimin e dekretit të vendosjes së datës së zgjedhjeve dhe shkarkimin e mundshëm të Presidentit’, thuhet ndër të tjera në raport. Por, pavarësisht dekretit të Presidentit Meta, OSBE-ODIHR shprehet e vendosur për të vijuar vëzhgimin e zgjedhjeve më 30 qershor. “Për vëzhgimin e ditës së zgjedhjeve, Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve i ODIHR-it do të bashkojë forcat me një delegacion të Kongresit të Këshillit të Evropës për Autoritetet Lokale dhe Rajonale”, përfundon raporti.



Skip to toolbar