Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim kryetarin e Bashkisë së Zagrebit,
zage, të cilit i dhuroi edhe Kullën e Sahatit. Pas bisedës me homologun, Veliaj tha se raportet mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Kroacisë, kanë qenë historikisht të mira, ndërsa e vuri theksin edhe në marrëdhëniet mes dy qyteteve.
“Është një ditë e veçantë për raportet mes Tiranës dhe Zagrebit. Ne si popuj kemi një miqësi të kahershme, por mbi të gjitha, unë besoj se raportet mes qyteteve janë shumë të rëndësishme. Është shumë e rëndësishme për shtetet, që njerëzit e thjeshtë, studentët, sportistët, të kenë një rol të posaçëm sepse vëllazëria mes kombeve, mes qytetarëve tanë e bën të pathyeshme lidhjen tonë. Mezi pres që të mësojmë nga Zagrebi, një qytet i transformuar ndër vite, duke ruajtur identitetin, por edhe duke u modernizuar shumë”, u shpreh Veliaj.
Ai theksoi se Tirana po përjeton sot të njëjtin zhvillim ekonomik, urban dhe demografik si Zagrebi. “Kjo është edhe sfida që kemi në Tiranë: si të ruajmë identitetin dhe të përballojmë fluksin e popullsisë, duke u modernizuar. Mezi pres që edhe ne të tregojmë disa nga projektet tona ikonike, siç është Piramida, qendra jonë e Teknologjisë së Informacionit, ose disa nga infrastrukturat që kanë ndryshuar në qytetin e Tiranës, si shkollat e reja apo stadiumi. Shpresoj shumë që të jetë fillimi i një shoqërie të gjatë dhe të bukur. Besoj vërtet që jemi afër, jemi më shumë ngjashëm se sa mendojmë, me aq shumë sa kemi shkëmbyer në histori,” deklaroi Veliaj.
Nga ana e tij, kryebashkiaku Tomaseviç tha se marrëdhëniet mes Tiranës dhe Zagrebit do të përforcohen.
“Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Urime për Tiranën Qyteti Europian i Sportit, gjithashtu edhe për vitin e shkuar, Vitin e Rinisë! Mezi pres që të forcojmë lidhjen dhe marrëdhënien midis Zagrebit dhe Tiranës. Ne kemi shumë lidhje historike dhe mendoj se kemi gjithashtu, shumë sfida të përbashkëta, me të cilat mund të përballemi së bashku. Posaçërisht kur bëhet fjalë për “tranzicionin e gjelbër”, hapësirat publike, trajtimin e mbetjeve, shkëmbimin kulturor, politikat rinore, rindërtimin nga tërmeti. Ndaj, dua të them që këto janë lidhje dhe marrëdhënie vërtetë shumë të mira mes Shqipërisë dhe Kroacisë, por unë mendoj se në nivel qytetesh ne mund të bëjmë shumë më shumë”, deklaroi kryetari i Bashkisë së Zagrebit.