Ashtu sikurse kanë njoftuar, socialistët do të dorëzojnë të hënën (sot, 17 qershor) në Kuvend kërkesën për shkarkimin e Presidentit Meta. Pas miratimit të rezolutës që e cilëson antikushtetues dhe nul dekretin e Metës për anulimin e datës së zgjedhjeve, ky është hapi tjetër i PS-së për nisjen e procedurave për shkarkimin e presidentit.
Mësohet se kërkesa për shkarkimin e Metës është firmosur nga 55 deputetë, disa prej të cilëve vijnë nga opozita parlamentare.
Jo pak por 27 deputetë të opozitës votuan pro rezolutës së PS-së dhe një pjesë e mirë prej tyre kanë firmosur edhe kërkesën për shkarkimin e Metës.
Po çfarë ndodh pas depozitimit në Kuvend të kësaj kërkese?
Kjo është e parashikuar në nenin 112 të Rregullores së Kuvendit.
Sipas Rregullores pasi dorëzohet kërkesa në Kuvend, mblidhet komisioni i ligjeve i cili shqyrton nëse kërkesa është e motivuar dhe e bazuar në ligj. Më pas komisioni i ligjeve ka të drejtë të vendosë nëse duhet ose jo të ngrihet komision hetimor për këtë çështje. “Në rast se kërkohet nga Presidenti i Republikës për t’u shprehur në Komision, Komisioni është i detyruar ta dëgjojë atë, duke i lënë një kohë të mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes dhe dhënien e sqarimeve”, thuhet në rregullore
Pasi Komisioni i Ligjeve harton raportin, ai votohet nga Kuvendi në seancë plenare. Kështu në rast se “Ligjet” propozojnë vazhdimin e procedurës së shkarkimit dhe ngritjen e një Komisioni Hetimor ndaj presidentit, kjo duhet të miratohet nga Parlamenti. Në rast se raporti rrëzohet nga shumica e deputetëve atëherë procedura e shkarkimit ndërpritet.
Në rast se Kuvendi pranon nëpërmjet votimit raportin dhe propozimin e Komisionit të Ligjeve brenda 2 ditëve ngrihet një komision hetimor për këtë çështje. Komisioni hetimor është i detyruar të thërrasë dhe të dëgjojë mendimin e Presidentit të Republikës në lidhje me propozimin e paraqitur. Në përfundim të hetimit, komisioni hetimor duhet t’i paraqesë Kuvendit në mënyrë të arsyetuar nëse ekzistojnë shkaqet për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Vetëm pasi përfundojnë të gjitha etapat e mësipërme arrihet në votim në seancën plenare, ku do të duhen të votojnë pro shkarkimit 2/3 e deputetëve, pra 94 vota.
Në rast se kërkohet nga Presidenti i Republikës për t’u dëgjuar në seancë plenare, Kuvendi është I detyruar ta dëgjojë atë.
Në fund të votimit sqarohet se: “Vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës i dërgohet Gjykatës Kushtetuese nga Kryetari i Kuvendit brenda 5 ditëve nga marrja e tij”. Pra pas kësaj procedure vendimi përfundimtar merret nga Gjykata Kushtetuese.