Disa armë të siguruara nga Perëndimi, dërguar Ukrainës në vitin 2022, u vodhën nga kriminelët dhe tregtarët e armëve përpara se të arrinin te trupat ukrainase, sipas një raporti të inspektorit të përgjithshëm të Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-ve.
Lajmi u bë i ditur nga multimediali amerikan “CNN”.
Shërbimet e inteligjencës ukrainase ishin në gjendje të rikuperonin armët dhe pajisjet e vjedhura, thuhet në raport.
Raporti, i datës 6 tetor 2022 dhe i titulluar “Përgjegjësia e DoD për pajisjet e ofruara Ukrainës”, detajon një numër komplotesh kriminale për të vjedhur armë, municione dhe pajisje të fushëbetejës.
Në qershor 2022, një zyrtar rus në krye të një organizate kriminale falsifikoi dokumente për t’u bashkuar me një batalion vullnetar, sipas raportit.about:blank
Zyrtari i paidentifikuar më pas vodhi një granatëhedhës, një mitraloz dhe mbi 1 mijë fishekë municionesh. Shërbimet e inteligjencës ukrainase e prishën skemën.
Shërbimet e inteligjencës ukrainase gjithashtu penguan komplotet e tregtarëve të armëve për të rishitur pajisjet e vjedhura nga vija e frontit jugor, thuhet në raport.
Në një rast tjetër, shërbimet e inteligjencës zbuluan një grup kriminelësh ukrainas që pretendonin se ishin punonjës të ndihmës për të vjedhur jelekët antiplumb.
Shërbimet e inteligjencës ukrainase gjurmuan gjithashtu anëtarët e një batalioni vullnetarësh të cilët vodhën pushkë dhe municione me gjasë të destinuara për shitje në tregun e zi, thuhet në raport.
Raporti përshkruan sfidat ndaj përpjekjeve monitoruese të Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-ve, duke përfshirë “paaftësinë e personelit të DoD për të vizituar zonat ku përdoreshin ose ruheshin pajisjet e ofruara në Ukrainë”.