Kryetari i Bashkisë së Toshevos në Bullgari ka rënë në prangat e policisë, pasi akuzohet se ka keqpërdorur fondet e Bashkimit Evropian. Mësohet se këto fonde ishin të destinuara për të rritur efikasitetin e energjisë në ndërtesat e banimit.
Zyra e Prokurorit Publik njofton se, Valentin Dimitrov, kryebashkiak i qytetit Toshevo në Bullgarinë verilindore, u arrestua me kërkesë të Prokurorit Publik Evropian. Dimitrov ka qenë nën hetim për mashtrim që përfshin subvencione nga Bashkimi Evropian. Shkeljet e supozuara kanë ndodhur në vitet 2017-2919.
Toshevo mori një grant nga Bashkimi Evropian për të financuar projektin në shumën prej 169,000 euro sipas zyrës së prokurorit dhe i caktoi projektin një kontraktori privat. Sipas provave të mbledhura, zyrtarët e përfshirë në projekt, përfshirë kryetarin e bashkisë, paraqitën informacione të rreme për zbatimin e punës, që nuk ishte kryer në kohë.
Arrestimi i Dimitrov është i pari në Bullgari me kërkesë të zyrës së kryeprokurorit evropian. Dimitrov, i zgjedhur për herë të parë në 2015 dhe i rizgjedhur në 2019, është përfaqësues i Partisë Socialiste Bullgare.