Plagosja e dy vëllezërve në rrugën “Thoma Koxhaj” në Tiranë është zbardhur nga policia, duke vendosur në pranga autorin e ngjarjes.
I ndaluari është një 35-vjeçar nga Lushnja, ndërsa është proceduar në gjendje të lirë një 17-vjeçar, që akuzohet për moskallëzim krimi.
Sipas njoftimit të policisë, personi në fjalë është arrestuar disa orë pas ngjarjes, pasi ishte larguar për tu fshehur në një hotel në Lushnjë, pasi plagosi rëndë me mjet prerës 2 vëllezërit.
Gjatë operacionit, uniformat blu kanë sekuestruar kokainë, 1150 euro dhe mjetin prerës me të cilin është kryer plagosja e 2 vëllezërve.
Pas disa orësh ndjekje intensive, është bërë lokalizimi dhe arrestimi i shtetasit G. L., 35 vjeç, banues në Lushnjë.
Shtetasi G. L., pas një konflikti për motive të dobëta, në rrugën “Thoma Koxhaj”, ka goditur me mjet prerës shtetasit R. A., 26 vjeç dhe V. A., 31 vjeç (vëllezër), të dy banues në Tiranë, dhe më pas është larguar.
Me marrjen e informacionit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, janë vënë menjëherë në ndjekje të tij dhe pas disa orësh ndjekje intensive, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit e Policisë Lushnjë, në një hotel në Lushnjë, kanë lokalizuar shtetasin G. L., së bashku me një 17-vjeçar. Gjatë kontrollit fizik, shtetasit G. L. iu gjetën dhe sekuestruan 1150 euro, sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, si dhe mjeti prerës që dyshohet se ka përdorur për plagosjen e 2 vëllezërve.
Në vijim të veprimeve, nisi procedimi penal për 17-vjeçarin, pasi dyshohet se ka patur dijeni për ngjarjen dhe nuk ka kallëzuar pranë organeve kompetente. Dy vëllezërit e dëmtuar ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.