Pas dy muajsh luftimesh të ashpra, Ukraina çliron fshatin strategjik në jug

Më të fundit


Ushtria ukrainase ka thënë të martën se forcat e saj e kanë çliruar një fshat strategjik në jug të vendit, pas dy muajve luftimesh të ashpra, derisa Rusia po i vazhdon sulme me raketa dhe dronë mbi disa rajone të Ukrainës, duke e vrarë të paktën një person dhe duke i lënduar disa të tjerë.

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, tha më 22 gusht se trupat ukrainase e kanë çliruar Robotinin, një fshat që gjendet përgjatë një rrugë të rëndësishme e cila çon drejt Melitopolit në rajonin Zaporizhja.Melitopoli, i njohur si “porta drejt Krimesë”, u uzurpua nga trupat ruse në mars të vitit të kaluar, pas disa ditësh luftime të ashpra, shkruan rel.

Brigada e 47-të e postoi një video online, në të cilën shihen gra të përlotura duke i përshëndetur ushtarët ukrainas, si dhe tha se është duke e organizuar evakuimin e civilëve nga fshati.

Instituti Amerikan për Studimin e Luftës (IASL) konfirmoi se trupat ukrainase kanë arritur “sukses të madh taktik” në Robotin më 20 dhe 21 gusht.

Nëse forcat ukrainase përparojnë dhe e çlirojnë Melitopolin, i cili ndodhet në mes të dy autostradave të rëndësishme dhe një stacioni të madh hekurudhor, mund ta përdorin këtë qytet si trampolinë për ta çliruar tërë rajonin Zaporizhja.

Ushtria ukrainase dhe zyrtarët rajonalë raportuan më 22 gusht për disa sulme ruse me dronë dhe raketa në Çernihiv, Zaporizhja, Krivi Rih dhe Kupiansk, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se i ka zmbrapsur sulmet me dronë ndaj Moskës dhe rajoneve Briansk, derisa i mbylli përkohësisht tri aeroporte në kryeqytet.

Në rajonin e Çernihivit, një burrë u vra nga granatimet ruse, tha guvernatori Vyacheslav Chaus. Më 19 gusht, të paktën shtatë persona, përfshirë një fëmijë, u vranë dhe 129 të tjerë u plagosën nga një sulm rus me raketë në këtë qytet.



Skip to toolbar