Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të premten se incidentet si ai të dielës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, paraqesin sfida të papranueshme për forcat paqeruajtëse të KFOR-it dhe komunitetin ndërkombëtar. Ai mirëpriti praninë e shtuar të KFOR-it dhe vendimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut për të miratuar forca shtesë për Kosovën.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, tha se sekretari Blinken i bëri këto komente gjatë një bisede me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç më të cilin diskutoi “rëndësinë e marrjes së masave të menjëhershme për të ulur tensionet me Kosovën pas dhunës së 24 shtatorit dhe vrasjes së një rreshteri të policisë së Kosovës”.
Zëdhënësi tha se sekretari nënvizoi se ata që janë përgjegjës për sulmet e që tani ndodhen në Serbi duhet të mbajnë përgjegjësi. Ai përsëriti se Serbia duhet të shoqërojë uljen e menjëhershme të tensioneve me zbatimin e plotë të angazhimeve të saj sipas marrëveshjes së normalizimit (të marrëdhënieve me Kosovën) në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.
Vuçiç: Sekretari Blinken më paralajmëroi për masa ndaj Serbisë
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha më herët se nga sekretari Blinken është paralajmëruar për masa ndëshkuese ndaj Serbisë “nëse nuk sillet siç duhet”.
Presidenti serb u tha gazetarëve në Beograd se gjatë bisedës që e përshkroi si “jo të lehtë”, të dy janë pajtuar se është i nevojshëm “shtensionimi dhe shtimi i rolit të KFOR-it” që sipas tij mbështetet nga Serbia. Ai tha se i ka mohuar zërat se Serbia ka vënë ushtrinë në gjendje gatishmërie.
Presidenti serb tha se me sekretarin Blinken nuk është pajtuar për natyrën e ngjarjeve në Kosovë dhe posaçërisht me “sovranitetin e Kosovës”. Ai tha se sekretari amerikan foli edhe për “masat e mundshme ndaj Serbisë, nëse nuk sillemi në mnyrën e duhur”.
“Ju jeni një vend i madh, një superfuqi, u takon juve të bëni atë që mendoni se duhet. Unë jam plotësisht kundër kësaj dhe mendoj se është shumë keq, por ka gjëra që duhet t’u përmbahemi, dhe kjo është para së gjithash e vërteta”, tha ai, por pa dhënë më shumë hollësi.
Rreshteri i policisë së Kosovës u vra të dielën në fshatin Banjskë në veri të vendit në një sulm të një grupi të armatosur serb të drejtuar nga Milan Radoiçiç, nënkryetar i deritashmë i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës të mbështetur nga Brogradi.
Gjatë përleshjeve që pasuan vrasjen e oficerit të policisë, tre sulmues mbetën po ashtu të vrarë në incidentin më të rëndë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Prishtina akuzoi Beogradin për organizim dhe mbështetje të sulmit. Presisentja e Kosovës Vjosa Osmani e cila takoi të premten ambasadorët e vendeve krysore perëndimore në Prishtinë, kërkoi që bashkësia ndërkombëtare t’i kërkojë përgjegjësi Serbisë për veprimet e saj kundër Kosovës, “duke ia bërë të qartë se duhet të ndalojë financimin, mbështetjen dhe shtytjen e grupeve kriminale për veprime terroriste”.
Mungesa e masave, tha ajo, “mund të keqpërdoret nga ana e Serbisë dhe për rrjedhojë mund të kemi përsëritje të veprimeve terroriste”.
Beogradi mohon lidhjet me grupin e armatosur ndërsa akuzon Prishtinën për sic thuhet krijimin e “gjendjes së terrorit në veri”.
Sulmi i së dielës u cilësua si terrorist nga institucionet e Kosovës, Bashkimi Evropian dhe diplomatët perëndimorë. Ngjarja nxiti shqetësime të reja për qëndrueshmërinë në rajon dhe të premten NATO-ja tha se ka miratuar shtimin e forcave të saj në terren.