Ish-sekretarja e Brendshme e Britanisë së Madhe, Suella Braverman nuk e ka pritur aspak mirë shkarkimin që Rishi Sunak i bëri vetëm pak orë pasi ajo dënoi protestën pro-Palestinës, ku 300 mijë njerëz tubuan në Londër.
Sipas teorisë “hakmarrja shërbehet më mirë e ftohtë”, Braverman i ka hapur të gjitha kartat duket hedhur akuza të rënda në drejtim të kryeministrit.
Braverman e akuzon Sunak për “tradhti ndaj kombit dhe dështime të përsëritura” në qeverisje, duke pretenduar se kryeministri ka refuzuar një marrëveshje që dyshja ndërmjetësoi kur ajo mbështeti ofertën e tij për udhëheqjen e vendit vitin e kaluar.
Me sëpatë të madhe, ish-sekretarja e Brendshme në letrën e jashtëzakonshme godet udhëhesin e Konservatorëve duke e cilësuar si lider “të dobët”, të paaftë për të menaxhuar krizën e emigrantëve dhe protestat.
“Dikush duhet të jetë i sinqertë: plani juaj nuk po funksionon, ne kemi pësuar humbje rekord në zgjedhje, keni dështuar dhe koha po mbaron. Ju duhet të ndryshoni kursin urgjentisht“, thotë Braverman.
Më tej ajo e akuzon ish-shefin e saj se ka dështuar të ashpërsojë gjuhën ndaj gjyqtarëve europianë që mbajnë peng marrëveshjen e Ruandës për emigrantët.
Sulmi prej tre faqesh i Braverman rrezikon ta zhysë Partinë Konservatore në luftë civile ndërsa aleatët e saj po ashtu kanë filluar të ushtrojnë presion mbi Sunak.
Suella e përbuzur tashmë besohet gjerësisht se ka ambicie për lidershipin dhe mund të shndërrohet në një makth për kryeministrin Sunak.