Ahmeti-Ramës: Jemi një hap para anëtarësimit në BE, duhet ta ngresh zërin siç ke bërë deri tani

AKTUALITET


Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti deklaroi sot se Europa nuk mund të ketë paqe, stabilitet e siguri pa Ballkanin Perëndimor.

Në ditën e dytë të Samiti III i Diasporës që po mbahet në Tiranë, Ahmeti tha se djepi i Europës është Mesdheu dhe se Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi e kanë vendin aty.

“Unë jam e kam qenë mërgimtar. Ne na kanë shërbyer dy porosi të rilindasve kombëtar, ajo e Jeronim De Radës: Gjaku i arbrit po rrjedh dhe po shihet që porosia e tij është gjallë, se këtu në këtë sallë janë arbreshët, mërgimtarët shqiptarë. Dhe porosia e dytë është e Asdrenit që i ligjëroi me aq përkushtim Kosovës: Jo s’duam nuk, veç armë dhe ca buk, bukën na e dha nëna dhe armën na e dha nëna. Çdo ushtar ka lëviz mbi trupin e kësaj nëne dhe sot Kosova është shtet i mëvetësishëm, shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë shtetformues me të gjitha vlerat që i takojnë një kombi, flamur, gjuhë, universitete. Shqiptarët në Mal të Zi nuk e kishin ëndërruar të kishin një kryeministër shqiptar, Dritan Abazoviçin”, u shpreh Ahmeti.

Ai e cilësoi si të pazëvendësueshme mërgatën shqiptare.

“Prandaj e pazëvendësueshme ka qenë mërgata shqiptare, historikisht, që nga Bukureshti, Stambolli, Egjipti, e më në fund më e reja, por e larë me gjak, ajo e Europës, që udhëhiqej nga Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, e që kulmoi me ushtrinë çlirimtare të Kosovës”, tha ai.

Luftërat, e vijoi fjalën e tij kreu i BDI-së, Ahmeti, i fituam, edhe politikisht, edhe ushtarakisht, edhe diplomatikisht.

“Sot kemi një luftë të re dhe më të fortë, të bëjmë të begatë atdheun tonë, të organizohemi shumë më fort se sa jemi të organizuar. Dhe këtë mundësi mërgata e ka, të gjithë të përkushtohemi, të rinjtë le të kapin diturinë në universitetet më të mira ndërkombëtare dhe ti kthehen kokëplotë atdheut të tyre. Sot, me dituri e mençuri, ne vendet tona mund t’i kemi shpejt anëtare në BE, ashtu siç jemi sot në NATO, nesër mund të jemi në BE”, deklaroi Ahmeti.

Ahmeti u shpreh se vendet tona e kanë vendin në BE.

“Dhe Europa nuk mund të jetë e qetë edhe pa Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën, Malin e Zi. Nuk mund të ketë paqe, stabilitet e siguri pa Ballkanin Perëndimor. Fundi i fundit, djepi i Europës është Mesdheu. Ne vendin e kemi aty. Por me përkushtim duhet punuar, asgjë e parealizueshme nuk mund të jetë“, shtoi Ahmeti.

Ai iu drejtua Kryeministrit Edi Rama duke e siguruar për mbështetje të plotë në rrugëtimin drejt BE-së.

“I dashur Edi, mendoj se jemi një hap para anëtarësimit, edhe pak, duhet dhe më fort të ngresh zërin, ashtu siç e ke ngrit deri tani. Ne të tjerët, nuk na ke pas, por na ke në krah”, u shpreh Ahmeti.



Skip to toolbar