Konferenca e Kryetarëve miraton kalendarin, marrëveshja me Italinë kalon në 21 dhjetor

AKTUALITET


Konferenca e Kryetarëve ka miratuar draftprogramin dhe draftkalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 27 nëntor-22 dhjetor. Mbledhja e cila ishte parashikuar për në orën 11:00 u zhvillua në orën 13:00.  Ndërkohë në draftkalendarin e punimeve për këtë periudhë është edhe marrëveshja e firmosur mes Italisë dhe Shqipërisë për strehimin e emigrantëve të ardhur nga Afrika.

“Për ratifikimin e protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”, i depozituar nga Këshilli i Ministrave në datën 17 nëntor.

Pas shqyrtimit në komisionet parlamentare, pritet që votimi në seancë plenare për marrëveshjen me Italinë të bëhet në 21 dhjetor. Më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve.



Skip to toolbar