Autoritetet izraelite kanë thënë se 14 pengje izraelitë të mbajtur nga Hamasi do të lirohen të shtunën në këmbim të 42 të burgosurve palestinezë.
Është dita e dytë e një armëpushimi të përkohshëm në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Katari, e cila mandaton shkëmbimet në një raport tre me një.
Kjo është situata pas mbi një muaji e gjysmë luftime, që prej 7 tetorit, kur edhe lufta mes Izraelit dhe Hamasit mori rrjedhë tjetër dhe u përshkallëzua.
Kamionët që transportonin ndihma humanitare tashmë janë rreshtuar për të shkuar në Gaza përmes vendkalimit Rafah, për të dytën ditë.
Pavarësisht armëpushimit të përkohshëm, kushtet në territor mbeten të vështira. Karburanti, ushqimi, uji dhe furnizimet mjekësore nevojiten dëshpërimisht.
Pothuajse 200 kamionë ndihma arritën në Gaza të premten, kolona më e madhe që nga sulmet e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor dhe ofensivës hakmarrëse të Izraelit.
Megjithatë, situata mbetet shqetësuese.
Mbi të gjitha, në Bregun Perëndimor, bastisjet izraelite nuk janë ndalur, ku një 25-vjeçar palestinez raportohet se është vrarë nga forcat izraelite, gjatë një operacioni.
Dy të tjerë ndërkohë u plagosën.
Një sulm i dyshuar me dron nga ana tjetër, ka goditur një anije me kontejnerë në pronësi të një miliarderi izraelit në Oqeanin Indian, tha një zyrtar amerikan i mbrojtjes.
Zyrtari i mbrojtjes, i cili foli për Associated Press në kushte anonimiteti për të diskutuar çështjet e inteligjencës, tha se anija me flamur të Maltës, CMA CGM Symi, dyshohej se ishte shënjestruar nga një dron në formë trekëndëshi, që mbante bombë Shahed-136, ndërsa lundronte në ujërat ndërkombëtare.
Droni shpërtheu, duke shkaktuar dëme në anije, por duke mos dëmtuar asnjë nga ekuipazhi i saj.
“Ne vazhdojmë të monitorojmë situatën nga afër,” tha zyrtari. Ai nuk pranoi të shpjegonte pse Ushtria amerikane besonte se Irani qëndronte pas sulmit.
Al Mayadeen, një kanal satelitor pan-arab që është politikisht aleat me grupin libanez Hezbollah, të mbështetur nga Irani, raportoi se një anije izraelite ishte shënjestruar në Oqeanin Indian. Kanali citoi burime anonime për raportin, të cilin mediat iraniane e raportuan më vonë.