Sot Shkupi pret Samitin e OSBE / Disa shtete bojkotojnë për shkak të Lavrov, Blinken nuk merr pjesë

AKTUALITET


Ditën e sotme në Shkup të Maqedonisë së Veriut starton samiti dyditor i Këshillit Ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Ky takim i OSBE ka ngjallur reagime të shumta pas pjesëmarrjes në të të kryediplomatit rus, Sergei Lavrov.

Në takimin e OSBE-së do të marrin pjesë 76 delegacione nga 57 shtete anëtare dhe shtete partnere të organizatës.

Pjesëmarrja e Lavrov ka sjellë si reagim bojkotin e këtij samiti nga shumë anëtarë të OSBE-së si Ukraina dhe të vendeve baltike si Estonia, Letonia dhe Lituania.

Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e Jashtëm të vendeve baltike thanë se pjesëmarrja e planifikuar e Lavrovit “rrezikon ta legjitimojë Rusinë agresore si një anëtare të drejtë të komunitetit tonë të kombeve të lira”.

Sekretari i shtetit Antony Blinken pritej që të merrte pjesë në këtë samit, por edhe ai e ka bojkotuar. Pas takimeve me krerët e Maqedonisë së Veriut, Blinken është larguar dje në mbrëmje nga Shkupi.

Ndërkaq, gjatë punimeve të Këshillit Ministror pritet të caktohet kryesuesi i radhës me OSBE-në për vitin 2024, për të cilin në mbledhjen përgatitore të ambasadorëve të 57 vendeve anëtare të kësaj jave në Vjenë, u arrit konsensusi që të jetë Malta.

Në ditën e parë të Këshillit pritet nënshkrimi i deklaratës së përbashkët për luftën kundër korrupsionit në Evropën Juglindore përmes kthimit të pronave dhe përdorimit të digjitalizimit. Ndërsa, tema e dytë ka të bëjë me ndikimin e ndryshimeve klimatike në sigurinë e njerëzve në shtetet që janë pjesë e OSBE-së.

Veç kësaj, pjesëmarrësit e Këshillit do të vendosin edhe për buxhetin si dhe për emërimet në postet kyçe në institucionet e OSBE-së.



Skip to toolbar