Frikë nga NATO, Putin urdhëron shtimin e 170 mijë trupave ruse në ushtri

BOTA


Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka urdhëruar ushtrinë ruse ta rrisë numrin e trupave duke shtuar edhe 170.000 të tjerë, ndërkohë që Moska po vijon luftën në Ukrainë. Pas kësaj rritjeje ushtria e Rusisë tani i ka 1.3 milionë trupa.

Vendimi i Putinit u bë i ditur nga Kremlini të premten dhe hyri në fuqi menjëherë. Ai e çon numrin e përgjithshëm të personelit ushtarak rus  tani në rreth 2.200.000, përfshirë 1.320.000 trupa.

Kjo është hera e dytë që Rusia e zgjeron ushtrinë kaq shumë prej vitit 2018. Në gusht 2022, Putini urdhëroi shtimin e 137.000 trupave.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se urdhri nuk nënkupton “zgjerim të madh të thirrjes në ushtri”, duke shtuar se shtimi i trupave do të ndodhë dalëngadalë duke rekrutuar më shumë vullnetarë.

Ministria e arsyetoi shtimin e trupave me, siç e quajti “operacionin special ushtarak” në Ukrainë dhe zgjerimin e NATO-s.

“Forcat e përbashkëta të armatosura të NATO-s po rreshtohen pranë kufijve të Rusisë, si dhe po vendosen sisteme të mbrojtjes ajrore dhe armë sulmuese. Potenciali i forcave taktike bërthamore të NATO-s po rritet”, tha Ministria ruse në një komunikatë.

Rritja e numrit të trupave ruse është përgjigje “ndaj veprimeve agresive të bllokut të NATO-s”, tha ajo.



Skip to toolbar