Rilindja e lagjes ‘Zdrale’ në Shkodër/ Rama: Mund të jetë një gjë shumë unikale, të kombinohet aktiviteti kulturor dhe tregtar

AKTUALITET


Transformimi urban i Shkodrës tashmë është rrugë e çelur. Ai do të shtrihet me përparësi në  lagjet kryesore të qytetit, me vlera historike dhe arkitekturore, që fatkeqësisht janë degraduar nga ndërtimet pa kriter dhe nga mungesa e infrastrukturës së nevojshme.

Zona historike e Zdrales është një nga më të mirënjohurat e Shkodrës, me një aktivitet të gjerë tregtar, e sjellë së fundmi në vëmendje si nevojë për transformim të domosdoshëm, përmes vitalizimit urban dhe rilindjes së traditave më të bukura që ajo ka mbartur ndër vite.

Kryeministri Edi Rama ndoqi prezantimin e bërë në bashkinë e Shkodrës të asaj çfarë ofron aktualisht kjo lagje, dhe perspektivës për zhvillimin e një projekti, që jo vetëm do ta zbukurojë atë, por do të lehtësojë ndjeshëm çdo lloj aktiviteti tregtar apo kulturor.

“Në momentin që rigjenerohet hapësira dhe privatët marrin tjetër mesazh dhe tjetër energji dhe ia vlen. Tani aty në atë lloj situate ashtu s’ka çfarë të ketë bare të mira, s’ka çfarë të ketë dyqane të mira, kështu që edhe kjo është efekti zinxhir që sjell rikualifikimi.” – u shpreh kryeministri, Rama teksa sugjeroi futjen e koncepteve të reja në projektim, në mënyrë që të dalin më në pah vlerat e vërteta historike.

“Mund të bëhet një si muze që krijohet në një pikë, por mund të lidhet me disa figura kryesore të historisë së zonës dhe ti konceptosh ato aty si kulla, po themi kulla e Lekë Dukagjinit, kulla e Migjenit dhe ndërkohë aty brenda ka një aktivitet X dhe pastaj pjesa tjetër bare, restorante apo bujtina kanë elementë të këtyre figurave dhe plus mund të përdoret për të ekspozuar gjithë këto veshjet.

Mund të jetë një koncept i ri. Duhen shfrytëzuar katet e para të atyre, si një muze që pjesët e jashtme i sheh nëpërmjet hapësirash, mund të jenë si dritare që fut sytë dhe sheh, janë si në vitrinë por një vitrinë gjysmë e fshehur që ti i sheh, pastaj futesh brenda i sheh më shumë.

Mund të jetë një gjë shumë unikale. Duhet studiuar dhe të kombinohet me aktivitet, por të jetë dhe kulturore të jetë dhe tregtare. Të jetë jo vetëm tregtare po dhe jo vetëm kulturore, por bashkë dhe mund të shfrytëzohen pastaj dhe pjesa e dhomave për këto, dizajnin, arredimin dhe me fotografitë, të shfrytëzohen si tip reference dhe me librat që ka aty për figurat e zonës.” – sugjeroi Kryeministri.



Skip to toolbar