Clinton: Shqipëria një shembull suksesi, uroj që e gjithë bota ta vizitojë

AKTUALITET


Për episodin final të podkastit të saj për këtë sezon, Hillary Clinton, zgjodhi bashkëshortin e saj, Bill Clinton, presidentin e 42-të të Shteteve të Bashkuara.

Një bisedë e gjerë, ku u kujtua shumëçka dhe nuk kishte si të mungonte as Shqipëria dhe Kosova.

Urime dhe përgëzime u përcollën nga Clinton në këtë bashkëbisedim të ngrohtë për Shqipërinë.

Ish-presidenti amerikan theksoi me bindje se Shqipëria është një pamje se si bota mund të lëvizë nga e mbyllura në të hapur dhe se si bota mund të kalojë nga lufta në paqe.

Clinton ravijëzon se, kabineti i vendit është rreth 40% femra dhe se Shqipëria ka një nga qeveritë më të reja, më të fuqishme dhe më të balancuara gjinore në Evropë.

“Kështu që uroj që e gjithë bota të shkojë në Shqipëri për një ose dy ditë. Dua të them, është një vend kaq i bukur dhe ata e dinë se si është të humbasësh gjithë lirinë e tyre. Ata nuk po i bëjnë këto debate që po bëjmë ne në Amerikë. Gjithçka që ata donin të flisnin ishte e ardhmja”.

Ai edhe një herë solli në vëmendje se kur u përfshi në çështjen e Kosovës – vendi në atë kohë ishte pjesë e Serbisë, por në thelb ishin mbi 90% shqiptarë që po luftonin për ekzistencën kundër Millosheviçit dhe Serbisë.

“Ne jetojmë këtu në Chappaqua, New Jork. Dhe New Jork-u ka popullsinë më të madhe shqiptare jashtë Shqipërisë. Dhe shumë prej tyre është e përqendruar në vendin ku jetojmë. Poshtë këtij blloku nga ku po flas, kemi dy familje shqiptare kosovare. Pra, shkova atje. Nuk kam qenë kurrë më parë në Shqipëri”.

Kjo e fundit ndryshoi derisa ishte i ftuar nga kryeministri Edi Rama, për të cilin ish-presidenti thotë se është një artist i talentuar dhe një ish-basketbollist goxha i gjatë.

Ai rikujtoi vizitën në atë që ishte “bujtina zyrtare komuniste në kohën e Stalinizmit”.

Clinton zhvilloi më 3 dhe 4 korrik një vizitë në Shqipëri, ku u nderua edhe me titullin Yllit të Mirënjohjes për Arritjet Publike, si edhe lëshoi një sërë mesazhesh të fuqishme për situatën aktuale në rajon dhe më gjerë.

Sa duket, vizita e parë ndonjëherë për të në Shqipëri, i ka lënë mbresa të veçanta edhe pas një jave presidentit të 42-të të SHBA-ve, ku përmes një postimi në median e tij sociale Twitter, ai e bëri Shqipërinë shembull për një vend që përqafon demokracinë.

“Gjatë konfliktit të Kosovës, Shqipëria ndihmoi njerëzimin të mbizotëronte – duke pranuar gati gjysmë milioni refugjatë dhe duke shërbyer si një partner jetik për paqen. Javën e kaluar, pata nderin të festoja lidhjet e miqësisë midis dy vendeve tona dhe të shihja se çfarë është e mundur kur njerëzit përqafojnë demokracinë”.

Kështu ka shkruar ai, duke shpërndarë edhe një video nga nderimi që shqiptarët i bënë përzemërsisht gjatë vizitës.

Ndër mesazhet e tjera që ai dha – mbi të gjitha për situatën e krijuar në veri të Kosovës – ishin ato të “fundit të një marrëzie konfliktuale.

“Ka një mosmarrëveshje që po ndodh tani në Kosovë dhe do të doja të mos ndodhte kurrë”.

Kështu – me një historik të situatës – Clinton u shpreh se nuk ishte vendim i tij, por i kosovarëve për të krijuar ato “katër komuna në të mirë të serbëve për tu dhënë katër kryebashkiakë më tepër”.

Ai ravijëzoi se votimi ishte një gabim dhe se “tani është e lehtë për shqiptarët në shumicë që të përpiqen të përfitojnë nga momenti për të paraqitur argumentin e tyre”.

Duhet kujtuar se gjatë presidencës së tij tetë-vjeçare, ishte pikërisht Bill Clinton, kreu i Shtëpisë së Bardhë, i cili mori vendimin e guximshëm për të nisur bombardimet e NATO-s në Serbi dhe për të çliruar Kosovën nga agresori.

Ndërsa, mbi Shqipërinë, ai pranoi se të gjithë aleatët duhet të jenë bashkë kur bëhet fjalë për ta mbështetur.



Skip to toolbar