Një efektiv policie në Fier është arrestuar në flagrancë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Në pranga ka rënë inspektori Gestian Ymeraj 31 vjeç, me detyrë Trupi Shërbimi i Forcave Operacionale.
Efektivi akuzohet se nuk ka kallëzuar në polici një ngjarje të ndodhur ditën e djeshme në Fier (15 dhjetor), ku 3 familjarë të tij, të identifikuar si K.B, E.A dhe A.Z, morën peng për 3 orë 21 vjeçarin H.T.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Ferras, ku tre familjarët e efektivit kanë ndaluar automjetin me të cilin udhëtonte dhe më pas e kanë marrë me forcë për 3 orë duke e dhunuar. Konflikti mes tyre ka nisur 2 ditë më parë me kushëririn e 21 vjeçarit të marrë peng, i cili po ashtu dyshohet të ketë qenë në automjet.
Për pasojë, janë arrestuar gjithashtu edhe 2 prej autorëve K. B., 26 vjeç dhe E. A., 25 vjeç, ndërsa A. Z., 32 vjeç, është shpallur në kërkim. Ndërsa efektivi i Forcave Operacionale akuzohet për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Njoftimi i policisë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier, pas njoftimit të marrë nga një shtetas se disa shtetas i kanë marrë me forcë vëllain dhe automjetin me të cilin ai po udhëtonte, organizuan punën dhe falë veprimeve të shpejta operacionale hetimore finalizuan operacionin policor të koduar “Ferras”, gjatë të cilit u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe arrestimi i dy prej autorëve, shtetasve K. B., 26 vjeç dhe E. A., 25 vjeç, banues në Fier, si edhe po punojnë për kapjen e bashkëpunëtorit tjetër, shtetasit A. Z., 32 vjeç, banues në Mallakastër, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Vjedhja me dhunë” të kryera në bashkëpunim.
Nga veprimet hetimore rezultoi se ngjarja ka ndodhur në fshatin Ferras, Fier, ku autorët, për shkak të një debati që kanë pasur para 2 ditësh, për motive të dobëta, me kushëririn e shtetasit H. T., 21 vjeç, kanë ndaluar automjetin me të cilin ky shtetas po udhëtonte, e kanë dëmtuar atë dhe e kanë marrë me forcë për rreth 3 orë.
Gjithashtu, nga kryerja e veprimeve hetimore rezultoi se punonjësi i policisë G. Y., 31 vjeç, banues në Fier, me detyrë trup shërbimi në seksionin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, ka pasur dijeni për ngjarjen por nuk ka njoftuar strukturat e Policisë, për të cilin u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
U sekuestrua automjeti me të cilën autorët morën me forcë 21-vjeçarin si edhe automjeti me të cilin udhëtonte 21-vjeçari, të cilin autorët e kishin marrë dhe fshehur në fshatin Ferras.
Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.