Aktori koreano-jugor Lee Sun-kyun, i famshëm për rolin e tij në filmin “Parasite”, i cili triumfoi në Oscar 2020, është gjetur i vdekur në një ngjarje që po hetohet si vetëvrasje.
Aktori 48-vjeçar u gjet brenda një automjeti në qendër të Seulit, tha agjencia e lajmeve e Koresë së Jugut, Yonhap, duke cituar policinë.
Lee Sun-kyun ishte nën hetim për përdorim kanabisi dhe drogave të tjera psikotrope. Ky skandal i kishte njollosur imazhin e tij si një aktor i suksesshëm, duke e privuar, sipas disa mediave të Koresë së Jugut, paraqitjet televizive dhe kontratat reklamuese.
Oficerët ishin vënë në kërkim të Lee me kërkesën e familjes së tij, të cilët kishin gjetur një mesazh nga aktori që mund të sugjeronte qëllimin e tij për të kryer vetëvrasje.
Policia fillimisht njoftoi se e kishte gjetur aktorin pa ndjenja, por më pas konfirmoi vdekjen e tij.
Lee u shfaq në disa filma artistikë të regjisorit Hong Sang-soo, por ishte me “Parasite”, nën drejtimin e Bong Joon-ho, me të cilin ai arriti famë ndërkombëtare. Filmi i tij i fundit “Sleep”, ku luan rolin e një burri somnambul që terrorizon gruan e tij, u prezantua jashtë konkurrencës në Festivalin e Filmit në Kanë këtë vit.