Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu ka folur për mediat pas dëshmisë së tij në Gjykatën e Posaçme.
Ai ka thënë se në këtë proces nuk ka asnjë lidhje me Shkëlzen Berishën, i cili gjithashtu u thirr sot për të dëshmuar.
“U duk qartë dhe nga dëshmia e Shkëlzen Berishën që ai nuk ka asnjë lidhje me Fatmir Mediun në këtë proces. Nëse do kishte atëherë kishte mënyrë tjetër të procedimit”, tha Mediu.
Ai theksoi gjithashtu që është e rëndësishme të thirren dëshmitarët, teksa bëri thirrje që gjithsecili të tregojë të vërtetën.
“Eshtë e domosdoshme të thirren dëshmitarët. Edhe ata që nuk ndodhen brenda vendit ka mënyra për të dëshmuar. Bëj thirrje në emër të të vërtetës që gjithsecili të flasë dhe të tregojë të vërtetën siç është. Duhet të rithirren personalitetet ushtarake. Duhet të thirren edhe ministrat që kam kërkuar të thirren. Përndryshe do të ecim me konceptin e vjetër që ushtria është partia”, tha Mediu.