Objektivat e sezonit, trofetë dhe ecuria evropiane,Orges Shehi flet “pa doreza”

Më të fundit


I emëruar vetëm 1 muaj më parë, në krye të pankinës së “Demave të Kuq” të Partizanit, tekniku Orges Shehi zhvilloi mesditën e kësaj të premteje, sfidën e parë me “Të Kuqtë” e tij, ku sfiduan, mesditën e kësaj të premteje, në një përballje miqësore, skuadrën e Volendam, me këta të fundit, që militon në elitën e futbollit holandez, Eredivisie.

Sfida përfundoi me rezultatin e barabartë, 1 me 1, ku fillimisht avantazhin e morën kampionët në fuqi të Superiores, me “fantazistin”, Luis Birçaj, i cili gjeti rrugën e rrjetës, në mintuën e 68’-të, mirëpo goli i 20-vjeçarit nuk mjaftoi dhe në minutën e e 73’-të, talenti amerikan i mesfushës, Zach Booth dërgon në rrjetë topin për të mbyllur sfidën në “paqe”.

Pas kësaj sfide, një prononcim të shkurtër për kanalin zyrtar, të “Demave” të kryeqytetit, “Partizani Channel” e dha edhe teknikut Orges Shehi, i cili fillimisht rikujtoi kohët e tij, si lojtar i “Të Kuqve” e më tej foli për objektivat e këtij sezonit, si dhe tha disa fjalë edhe për tifozët e “gjigantëve” të futbollit shqiptar.

Intervista e plotë e Orges Shehit:

Ju keni qenë pjesë e ekipit të Partizanit si portier, tani riktheheni në rolin e trajnerit…

E vërtetë, para 15 viteve kam qenë pjesë e Partizanit. Nga lojtar rikthehem si trajner. Është kënaqësi në radhë të parë që kthehem aty ku kam kontribuar 4 vite, në familjen e kuqe. Më kryesorja, e gjej komplet të ndryshuar klubin, nga infrastruktura, trofetë, ambiciet dhe njerëzit. Është një Partizan i ndryshuar tërësisht nga ai që unë kam lënë. E përsëris atë që thashë pak më parë, është kënaqësi të jem pjesë e këtij klubi.

Çfarë mendoni të ndryshoni për të arritur objektivat?

Të flasësh për objektivat kur je pjesë e një klubi si Partizani, duket pak e tepërt. Objektivat janë gjithmonë maksimalë. Duhen arritur majat në futbollin shqiptar, siç janë trofetë, por edhe për të bërë një hap më shumë në Europë. Objektivat janë të qartë, çdo trajner i ri mundohet të ndryshojë pak në mënyrën e sjelljes së lojtarëve në fushë, në mënyrën e lojës. Kështu që këto ditë shpresojmë të na mjaftojnë të implementojmë atë që kemi ne si staf teknik në kokë, t’ua përcjellim lojtarëve.

Çfarë mendoni për formulën e re të kampionatit?

Dihet që kjo është formulë e re, që është vendosur që në fillim të kampionatit. S’ka nevojë për koment, është formulë që dhe pas 36 javëve kërkon fazën më të rëndësishme të kampionatit, siç është “final 4”. Shpresojmë të bëjmë më të mirën tonë për të arritur në krye të klasifikimit mbas 36 javëve normale. Pastaj vjen “final 4”, që duhet interpretuar me përqendrim të lartë. Nevojitet të arrijmë sa më të freskët fizikisht dhe në formë sportive, sepse dihet që titulli vendoset nga ky “final 4”.

Dy fjalë për “Partizani Channel”…

Jo vetëm unë, por të gjithë e mendojnë si risi në futbollin shqiptar. Kjo është një nga gjërat e mira që një klub ka. Ka kanalin e vet zyrtar, përcjell lajmet nga kanali i vet, çdo gjë është në lidhje me klubin. Kështu që është gjë e mirë dhe profesionale, për t’u vlerësuar, sepse është risi për një klub shqiptar. Diçka që e kanë të gjitha klubet profesioniste në Europë dhe botë.

A keni një premtim për tifozërinë e Partizanit?

Për tifozët bëjmë gabim të flasim me gojë, do ta tregojmë veten me vepra në fushë. Të drejtosh apo luash për Partizanin është përgjegjësi e madhe. Është klub që ka shumë trofe në vitrinën e vet. Na mbetet vetëm të punojmë fort, të jemi të disiplinuar. Tifozët tanë, kur të vijnë në stadium, duhet të jenë gjithmonë të kënaqur me performancën e skuadrës. Na mbetet shumë punë për t’i kënaqur tifozët. Dihet se Partizani ka mbështetje të madhe në të gjithë vendin, tifozët janë pjesë e rëndësishme e klubit. 



Skip to toolbar