Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet në lidhje me një grup kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike në Tiranë.
Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj ka mësuar se në fokus të hetimeve është një person, tashmë i arrestuar me origjinë nga Siria, por që ka edhe shtetësi shqiptare.
Sipas të njëjtave burime, Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka dyshime të forta se i arrestuari ka përfshirë në skemën e shpërndarjes të lëndëve narkotike edhe efektivë të policisë.
Burime bëjnë me dije se në hetim është përfshirë një efektiv i policisë, i cili aktualisht është në sektorin e antidrogës në Shkodër. Më përpara ka shërbyer në të njëjtin sektor në Tiranë.
Efektivi, emri i të cilit nuk bëhet publik për shkak të hetimeve, i ka dhënë automjetin e tij shtetasit sirian. AMP dyshon se automjeti është përdorur për transport të lëndës narkotike me qëllim shmangien e kontrolleve policore.
Agjencia e Mbikqyrjes Policore vijon hetimet për të zbardhur nëse ka efektivë të tjerë të përfshirë në këtë skemë kriminale.