Gjermani/ Marshim në Frankfurt kundër të djathtës ekstreme

BOTA


Dhjetëra mijëra njerëz kanë ndalë të shtunën nëpër rrugët e Frankfurtit, për të protestuar kundër partisë së të djathtës ekstreme Alternativa për Gjermaninë (AfD).

Policia ka thënë se rreth 35.000 njerëz kanë marrë pjesë në protestë, nën sloganin “Mbrojeni Demokracinë”.

Protesta është mbajtur në qendër të Frankfurtit, i cili njihet si kryeqyteti financiar i Gjermanisë. Një zëdhënës i Policisë e ka përshkruar atmosferën si paqësore.

Protesta si kjo e së shtunës, janë mbajtur edhe në disa qytete tjera, dhe ato e gëzojnë mbështetjen e kancelarit të shtetit, Olaf Scholz. Po të shtunën është raportuar për një protestë të ngjashme edhe në Limburg, dhe që numri ka qenë më i madh sesa është pritur – 2.800.

Protestat janë nxitur nga një raport i platformës Correctiv, prej të cilit është bërë e ditur se politikanët e AfD-së kanë mbajtur një takim me ekstremistët e të djathtës ekstreme në Potsdam.

Pjesëtarë të partisë konservatore Unioni Demokristian, partisë më të madhe opozitare, kanë marrë pjesë, po ashtu, në takim. Në takimin në Potsdam, ekstremistët e krahut të djathtë kanë diskutuar për temat si “riemigrimi”, termë që përdoret prej qarqeve të së djathtës ekstreme si eufemizëm për dëbim të migrantëve dhe minoriteteve.

Në një paraqitje të bërë të premten, Scholz e ka konsideruar riemigrimin si “sulm ndaj demokracisë sonë”. Ai i ka mirëpritur protestat e planifikuara për fundjavë.

“E them shumë qartë, ekstremistët e krahut të djathtë janë duke e sulmuar demokracinë tonë”, ka thënë ai.

Dhjetëra mijëra njerëz pritet të marrin pjesë në protesta të ngjashme që do të mbahen në qytetet gjermane./REL



Skip to toolbar