Departamenti Amerikan i Shtetit ka pezulluar përkohësisht fondet shtesë për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinë në Lindjen e Afërt mes akuzave se disa nga punonjësit e agjencisë ishin të përfshirë në sulmin e Hamasit ndaj Izraelit.
“Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken foli me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres më 25 janar për të theksuar domosdoshmërinë e një hetimi të plotë dhe të shpejtë të kësaj çështjeje. Ne mirëpresim vendimin për të kryer një hetim të tillë dhe zotimin e Sekretarit të Përgjithshëm Guterres për të ndërmarrë veprime vendimtare për t’u përgjigjur, nëse pretendimet rezultojnë të sakta,” njoftoi të premten zëdhënësi Matt Miller.
Miller tha se SHBA ka kontaktuar qeverinë izraelite për më shumë informacion rreth akuzave dhe ka informuar anëtarët e Kongresit.
“UNRWA luan një rol kritik në ofrimin e ndihmës për shpëtimin e jetëve për palestinezët, duke përfshirë ushqimin thelbësor, ilaçet, strehimin dhe mbështetje të tjera jetike humanitare. Puna e tyre ka shpëtuar jetë dhe është e rëndësishme që UNRWA të adresojë këto pretendime dhe të marrë masat e duhura korrigjuese, duke përfshirë rishikimin e politikave dhe procedurave ekzistuese.”, tha Miller./abcnews.al