Ambasadori amerikan i Prishtinë, Jeff Hovenier, i ka kërkuar guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, që të shtyjë zbatimin e vendimit për përdorimin vetëm të valutës euro sa i përket operacioneve me para të gatshme. Në një postim në rrjetet sociale ai deklaroi se është takuar me guvernatorin Ismaili, të cilit i ka përsëritur shqetësimin e SHBA dhe vendeve të tjera të QUINT-it.
“Sot pata një takim produktiv me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili. Përsërita shqetësimet e SHBA-së për zbatimin e rregullores së ndryshuar për operacionet me para. Ne kërkojmë që zbatimi të shtyhet për të lënë kohë të mjaftueshme për tranzicion efektiv dhe komunikim publik për të zbutur ndikimin negativ tek qytetarët”, shkruan ambasadori amerikan.
Serbët në Kosovës e kanë cilësuar këtë si një vendim që do t’iu pamundësojë atyre të përdorin dinarin.
Rregullorja e miratuar nga BQK-ja, është parashikuar të hyjë në fuqi më 1 shkurt.