Nga Dini Fetahu
Përpjekja për bashkimin kombëtar të shqiptarëve që më pas, për arsye pragmatike, u rimodelua si përpjekje për pavarësi të Kosovës nga synimi te realizimi ka në mes rreth 100 vjet.
Shekulli përmbanë një vagon të pashkëputshëm zhvillimesh, por janë disa data dhe disa momente që diktojnë trajektoren që çoi në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.
Ato janë shënime në udhëtimin e përpjekjeve për liri dhe pavarësi, të cilat në fund kulmuan me shpalljen historike të Pavarësisë së Kosovës.
Albanian Post ka përzgjedhur 10 momente/ngjarje si disa prej më të rëndësishmeve që kulmuan me pavarësi.
Konferenca e ambasadorëve në Londër 1912-1913
Konferenca e Londrës është vendi ku u vendos që Shqipëria të njihej si shtet i pavarur – jo ashtu siç shqiptarët e kishin shpallur më 28 nëntor të 1912-së – nga fuqitë e mëdha. Mirëpo, nga ana tjetër është ngjarja e cila determinoi historinë e Kosovës si një territor i cili deri në atë periudhë ishte pjesë e pandashme e trojeve shqiptare. Lënia e Kosovës jashtë shtetit shqiptar (Kosova iu dha Serbisë si rezultat i fitores së Luftës I Ballkanike) ishte fillesa e një përpjekje për ribashkimin shqiptar.
Kuvendi i Prizrenit 1945
Pas zhvillimeve rajonale e globale të cilat sollën kthesa dramatike në zhvillimin e ngjarjeve në gjysmën e dytë të shek. XX, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, Kosovës iu mohua ajo që iu ishte premtuar popujve gjatë Luftës, e drejta e vetëvendosjes. Kjo e drejtë jo vetëm që iu mohua, por u shkelë ashpër në të ashtuquajturin Kuvendi i Prizrenit 8-10 korrik, ku u imponua votimi që Kosova të mbetej pjesë e Serbisë, respektivisht Jugosllavisë.
Demonstratat e vitit 1968 dhe 1981
Viti 1968 njihet si viti i demonstratave studentore në mbarë Evropën, njëjtë edhe në Kosovë. Por, kishte një dallim thelbësorë në kërkesa. Derisa në Evropë kërkohej që të përmirësohej jeta ekonomike e sociale, në Kosovë demonstratat u karakterizuan më një theks të fortë politik. Studentët do të bëheshin prijës të shumë proceseve politike në dekadat e ardhshme.
Më 1981, u organizuan demonstrata të mëdha në shumë qytete të Kosovës – sërish ishin studentët ata që iu prinë këtyre demonstratave. Filluan me kërkesa për përmirësimin e jetës në konvikte, por përfunduan më kërkesa politike që dëshmonin vullnetin e popullit të Kosovës. Parulla kryesore ishte “Kosova Republikë” – çka dëshmon qartë rrugën që kishin nisur ata që do të jetësohej vite më vonë.
Të dyja këto demonstrata u shtypën me dhunë nga pushteti serbo-jugosllav, mirëpo ishin sinjal i qartë se gjendja në Kosovë nuk ishte siç propagandonte regjimi jugosllav.
Themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës – LDK
Pas suprimimit të dhunshëm të autonomisë së Kosovës më 23 mars të vitit 1989, nga presidenti fashist i atëhershëm i Serbisë, i cilësuar si kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviç, dhe me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme, shqiptarët filluan të reagonin duke protestuar për këtë akt.
Me nismën e Lidhjes së Shkrimtarëve, do të mblidhej një kuvend – i cili do të njoftonte për krijimin e një partie politike. Përmes saj do të përfaqësoheshin interesat e shqiptarëve në Jugosllavi. E emërtuar “Lidhja Demokratike e Kosovës”, kryetar i saj do të zgjidhej kritiku letrar, Ibrahim Rugova. Ishte partia e parë antikomuniste në ish-Jugosllavi. LDK-ja – ndër të tjera – do të organizonte me sukses sistemin paralel pothuajse në të gjitha sferat e jetës.
Deklarata e 2 Korrikut, Kushtetuta e 7 shtatori 1990
Më 2 korrik 1990, deputetët e Kuvendit të Kosovës të mbledhur në shkallët e kuvendit deklaruan shpalljen e Republikës së Kosovës. Dy muaj më vonë, me 7 shtator, në qytezën e Kaçanikut u miratua Kushtetuta e Kosovës, e njohur si “Kushtetuta e Kaçanikut”. Këto dy ngjarje legjitimuan vullnetin e popullit – i cili pas një viti do të deklarohej në referendum për Kosovën Republikë. I vetmi vend që e njohu shpalljen e Republikës së Kosovës ishte Shqipëria.
Dalja e parë publike e UÇK-së
Në varrimin e mësuesit, Halit Geci, i vrarë nga forcat policore serbe, do të ishte dita kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të dilte hapur, për herë të parë në publik. Më 28 nëntor 1997, tre luftëtarë të UÇK-së, Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi – do të shfaqeshin para masës që ishte mbledhur për ta varrosur mësuesin Geci, në Llaushë të Skenderajt.
Ata do të bënin me dije se do të ishin ata, luftëtarët e UÇK-së, që do të mbronin popullin e Kosovës nga dhuna dhe terrori që Serbia po e ushtronte ndaj popullit të Kosovës. UÇK-ja ishte një alternativë, pasi që lëvizja pacifiste e udhëhequr nga LDK-ja nuk po jepte rezultatet e kërkuara.
Rënia e familjes Jashari dhe Masakra e Reçakut
Këto dy ngjarje kanë pothuajse një vit dallim mes vete, ndërsa efektin e kanë të njëjtë: sensibilizimin e opinionit – njëra atij të brendshëm tjera atij të jashtëm.
Rënia heroike e komandantit të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes së tij u bë simbol i luftës çlirimtare, duke i dhënë një hovë të madh kësaj lëvizje e cila filloi të shtrihej gjithandej nëpër Kosovë.
Reçaku në anën tjetër mori vëmendje ndërkombëtare duke futur çështjen e Kosovës drejt një zgjidhjeje. Ambasadori William Wolker, informoi opinionin ndërkombëtarë për këtë “krim kundër njerëzimit” siç e quajti ai, pasi që e pa me sytë e tij atë që kishte ndodhur.
Konferenca e Rambujes – Marrëveshja e Kumanovës
Masakra e Reçakut, përshpejtoi përpjekjet ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, kjo pasi që Serbia po kryente krime kundër popullsisë civile. Rezultat konkret ishte Konferenca e Rambujes, e mbajtur në shkurt-mars 1999, ku edhe u propozua një marrëveshje e cila u nënshkrua vetëm nga pala kosovare. Refuzimi i palës serbe, solli edhe atë që ishte paralajmëruar; bombardimet e NATO-së, kundrejt caqeve të ushtrisë serbe.
Pas 78 ditësh bombardime, gjeneralët e Sllobodan Millosheviçit, nënshkruan kapitullimin, në Kumanovë më 9 qershor 1999. Në këtë marrëveshje u caktuan një sërë kushtesh, por nga më të rëndësishmit ishte largimi i plotë i ushtrisë dhe policisë serbe nga territori i Kosovës. Ndërkaq, më 10 qershor u miratua nga OKB-ja edhe rezoluta për Kosovën, e njohur si rezoluta 1244.
Procesi i Vjenës
Pas luftës, Kosova ishte nën administrimin ndërkombëtar edhe pse kishte pjesëmarrje në qeverisjen e vendit. Trazirat e marsit 2004, sollën në Kosovë ambasadorin Kay Eide, i cili dha një raport të detajuar rreth gjendjes në Kosovë, dhe potencoi faktin se ishin pjekur kushtet që çështja e Kosovës të ecte drejt zgjidhjes finale.
Si rezultat i kësaj, filloi ai që njihet si procesi i Vjenës, ku u zhvilluan 16 takime, për çështje të ndryshme. Në krye të negociatave ishte ish-presidenti i Finlandës, Marti Ahttisari. Në fund ai doli me një pako e cila do të bëhej baza e vetë pavarësisë së Kosovës. Pala serbe edhe këtu nuk pranoi atë që iu ofrua.
17 shkurt 2008
Mbi bazën e pakos së Ahttisarit dhe me mbështetjen e fuqishme të shteteve kryesore evropiane e sidomos Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kosova shpalli pavarësinë e saj, më 17 shkurt 2008. Deklarata e pavarësisë u lexua nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi dhe u miratua nga 109 deputetë të parlamentit të Kosovës.
Serbia nuk do të pajtohej më këtë akt dhe do të bënte padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, mirëpo GjND-ja do të vendoste se pavarësia e Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.