Nga Mero Baze
Tani ndoshta e kanë harruar të gjithë, por Berisha e nisi “Foltoren” e tij duke akuzuar Lulzim Bashën se kishte humbur garën brenda PD dhe njerëzit nuk zgjidheshin më nga vota e demokratëve.
E bëri këtë në fillim, pasi e dinte se shumica e demokratëve nuk do të mbështesnin betejën e tij kundër SHBA, dhe atij i duhej të mbështesnin një kauzë kundër Bashës me qëllim që të tregonte se kishte mbështetje, edhe pse ishte “non grata” nga SHBA.
Dhe për gati dy vjet PD u copëtua dhe banalizua në skena tragjikomike si ajo e 8 Janarit, pasi Berisha kishte nisur luftën kundër SHBA duke u fshehur pas mungesës së demokracisë së brendshme në PD për shkak të Lulzim Bashës.
Pastaj të gjithë e dimë si u vazhdua me Kuvende, njëri në Pallat të Kongreseve e tjetri në stadium, si filluan proceset gjyqësore, si përjashtonin njëri tjetrin nga partitë e deri tek dorëheqja dhe rikthimi i Bashës.
Për të goditur rikthimin e Bashës në krye të PD, Berisha nisi një proces të ri që e quajti ribashkim, duke joshur grupin e kontestuesve të Kuvendit që riktheu Bashën në krye të PD zyrtare.
Ky proces nisi në fillim duke i ofruar Bardhit kreun e grupit parlamentar, pastaj mbledhjen e grupit në një mjedis neutral, më vonë mbledhjen në zyrat e SHQUP, shkuarjen tek “Rrugica poshtë penxheres” dhe tani në fund tek propozimi që disa prej të afruarve të marrin poste në PD e Berishës.
Pra e gjitha nisi si një betejë për votën e lirë në PD dhe zgjedhjet nga baza dhe përfundoi me një dekret të Berishës që emëron brenda ditës për nevoja të tij dy nënkryetarë shtesë zgjeron kryesinë dhe fut pa garë dhe pa votë të gjithë ata që i largoi në emër të garës dhe votës.
Do të mjaftonte vetëm ky detaj për të kuptuar se Berisha e ka atë partinë e tij si një sulltanat, ku jeniçerët rekrutohen dhe u jepet një plaçkë si shpërblim për rekrutimin.
Kjo natyrisht nuk kishte nevojë për 2 vite telendisje të opozitës që të kuptohej, pasi u kuptua qysh kur drejtimin e partisë së tij ja besoi Flamur Nokës.
Kjo nuk vlen për Berishën. Ai ka qenë i qartë që në fillim që betejën kundër Bashës e kishte lojë që të fshihte betejën kundër SHBA.
Kjo vlen për të rekrutuarit e Berishës, të cilët kanë dy vite që harxhojnë energji për të bërë beteja proceduriale me Berishën, kuvend më Kuvend e degë më degë, duke treguar kusht zgjedhur me vote e kush është zgjedhur false. Dhe tani befas Berisha u ofron rekrutimin kundrejt shpërblimit me poste dhe këtu mbaron gjithë historia e tyre politike.
Tani janë të kënaqur që vet po zgjidhen pa votë por me dekret të Sulltanit, në pritje të shpërblimit tjetër për tu futur në lista pas një viti. Por deri atëherë duhet të japin prova që janë jeniçerë të mirë në shërbim të tij.