Emiratet, oaz për eksponentët e krimit? Çfarë paralajmëron Balla në javët në vijim

AKTUALITET


Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, në një prononcim për mediat paralajmëroi një vizitë në javët në vijim në Emiratet e Bashkuara Arabe. Qëllimi i kësaj vizite do të jetë takim me autoritetet lokale atje për të finalizuar një marrëveshje që do të lejojë ekstradimin e eksponentëve të krimit që janë larguar drejt Emirateve për t’i shpëtuar drejtësisë shqiptare.

“Ne po punojmë me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe për të pasur sa më shpejt një marrëveshje ekstradimi. Pas disa javëve do të jem zyrtarisht në Emiratet e Bashkuara Arabe për t’u takuar me autoritetet më të larta qoftë në Ministrinë e Brendshme, qoftë në Ministrinë e Drejtësisë për të finalizuar një marrëveshje e cila të na mundësonte që edhe ky vend të mos jetë më si oaz shpëtimi për të gjithë ata që kanë probleme me drejtësinë. E vërteta është që dua ta nënvizoj, kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me agjencinë ligjzbatuese të këtij vendi dhe rezultatet e këtyre ditëve po e konfirmojnë këtë gjë”, tha Balla për mediat.

Më i fundit që u arrestua në Emiratet e Bashkuara Arabe rreth 7 muaj pasi SPAK e shpalli në kërkim është Denis Brajoviç. Ai dyshohet se është autori i vrasjes së Gjin Boriçit, ngjarje e ndodhur në 9 Gusht të vitit 2020. Kujtojmë se vitet e fundit Emiratet e Bashkuara Arabe kanë shërbyer si strehë për shumë ekspornentë të krimit në Shqipëri. Deri më tani atje janë arrestuar personazhe si Palurent Dervishaj, Julian Meçaj, Florenc Çapja etj. Këta të fundit ende nuk janë ekstraduar në Shqipëri për shkak se mes autoriteteve tona dhe atyre arabe nuk ka një marrëveshje ekstradimi, për të cilën vijojnë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje ligjore.



Skip to toolbar