“Dialogu, zgjidhje për zgjedhoren”/ Deputeti Gogu: PS mbështet votën e emigrantëve

AKTUALITET


Deputeti i Partisë Socialiste, Toni Gogu thotë se rikthimi i dialogut mes mazhorancës dhe opozitës në parlament është diçka pozitive.

Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Gogu u shpreh se dy copëzat e opozitës kanë garë me njëra-tjetrën se cila do të dalë në vend të dytë.

Sipas Gogut, dialogu është mundësi për të zgjidhur ngërçin e reformës zgjedhore, teksa shtoi se Partia Socialiste mbështet votën e emigrantëve.

“Ajo çfarë pamë sot, është që një pjesë e kolegëve, mesa duket paskan lakmuar bllokimin e foltores, sepse ju e shikoni që kur njëra gjysmë e opozitës vjen në vete dhe i kthehet debatit perlamentar, gjysma tjetër zgjedh që të zaptojë foltoren. Sot është një ditë e mirë për parlamentin shqiptar, sepse i jemi rikthyer të vetmit instrument parlamentar që është debati, debati konstruktiv. Për ne socialistët, kemi vazhduar të çojmë përpara agjendën parlamentare, mungesa e tyre është ndjerë në këtë debat, debati ndihmon, por në debatin e tyre nuk ka ndonjë propozim konkret për të përmirësuar gjërat. Ata janë të interesuar për agjendën e tyre personale. Ka një garë mes dy copëzave të opozitës, se kush do të dalë në vendin e dytë.

Është e qartë, edhe nga sondazhet e fundit, se cilët besojnë shqiptarët. Ne nuk zgjedhim dhe nuk ndërhyjmë në luftën midis gjysma gjelave, ne qendrojmë besnik në tryezën parlamentare. Ndërhyrja ime sot ishte se zoti Basha mori përsiper të fliste për 90% të shqiptarëve. Me numrat, ju e patë sesi u kompleksua dhe u detyrura të gabonte duke zaptuar foltoren. Në ditët në vijim edhe zoti Basha do e kuptojë se nuk është ajo rruga e duhur, duhet të kthehen me propozime. Ti sjell propozime dhe pret të dëgjosh nga kolegët e tu, nëse edhe ata kanë propozime të tjera.

Komisioni i posaçëm do të hartojë raportin e vet, besoj që duket qartë nga retorika e zotit Alibeaj se nuk do të jetë raport konsensual. Ne do të vazhdojmë në komisionet e përhershme dhe do t’i diskutojmë në komisionin ligjor, që do të shqyrtojë propozimet e të gjitha palëve. Për ne socialistët, patjetër. Kemi dalë me propozim konkret, çështje është teknike. Është në kushtetutë, tani duhet të zbatohet”, theksoi ai./abcnews.al



Skip to toolbar