“Nga e marta zgjidhim problemet me hipotekën e pronave”, Tavo zbulon a do kandidojë për PS në Himarë

AKTUALITET


Prefekti i Vlorës, Vangjel Tavo ka komentuar në një prononcim për mediat mbledhjen e këshillit bashkiak të Himarës, ku Blerina Bala u votëbesua për të drejtuar institucionin tani që pas hekurave ndodhen ish-kryebashkiaku Jorgo Goro dhe i zgjedhuri me votë i 14 majit, Fredi Beleri.

Tavo tha se pas zgjedhjes së sotme, bashkia e Himarës do t’i rikthehet punës për të mirëmenaxhuar sezonin turistik që është në prag. Ai po ashtu premtoi se nga e marta Prefektura do të nisë punën në bashkëpunim me pushtetin vendor për të përfunduar procesin e hipotekimit të pronave në Himarë.

“Duke lënë mënjanë keqkuptimet dhe konfliktet e nxitura nga politika për interesa të vogla që kanë marrë peng të gjithë interesat e komunitetit himarjot. Është një stuhi në gotë dhe nuk mund të zgjasë pafund. Na presin punë të mëdha në Himarë duke filluar me zgjidhjen e problematikës kryesore, që të tre njësitë administrative të Himarës kanë me vonesat që janë krijuar me hipotekimin e pronave të tyre. Unë si prefekt në bashkëpunim me kryetaren e sapo caktuar dhe Agjencinë Shtetërore të Kadastrës do të fillojmë që nga dita e martë që të përfundojmë të gjithë procesin e pajisjes së qytetarëve të kësaj bashkie me dokumentin hipotekor. Jemi në çelje të sezonit turistik që pritet të ketë fluks të shtuar vizitorësh në Himarë dhe kjo na obligon, ne pushtetin vendor dhe mua si prefekt për të pritur këtë fluks të shtuar turistësh, për të rritur ekonominë e çdo familje himarjote dhe për të shtuar të ardhurat në buxhetin e bashkisë që do të investohen në shërbim të komunitetit., Motivi im është bashkim, bashkëpunim dhe punë. Kështu do të vazhdoj siç kam bërë që nga dita e parë që kam nisur punën në prefekturën e Vlorës.”

I pyetur nëse do të kandidojë nën siglën e Partisë Socialiste nëse do të mbahen  zgjedhje të parakohshme për bashkinë e Himarës, Tavo tha se kandidimi nuk është prioriteti i tij në kushtet kur i është caktuar nga qeveria detyra e Prefektit të Vlorës.

“Sot jam prefekt i caktuar i qarkut të Vlorës dhe flas në cilësinë e prefektit. Kemi shumë punë përpara për të bërë. Kemi absolutisht angazhim që kemi marrë për komunitetin e Himarës. Ky është shqetësimi ynë primar sot dhe nuk ka të bëjë fare me kandidimin ose jo timin ose të çdo figure tjetër në Himarë.”



Skip to toolbar