Sulmi më i ashpër ndaj KZAZ, por zbutet prokuroria e Kukësit. Dhunuesit, nga burgu në shtëpi

AKTUALITET


Gjykata e Kukësit ka pranuar kërkesën e prokurorisë duke ndryshuar masën e sigurisë për katër të arrestuarit, nga burg në arrest shtëpie. Ahmet Cahani 46 vjeç, shofer ne Bashkine e Kukesit, Ermal Haziri 42 vjeç, shofer ne Bashkine e Kukesit, Ersi Biçaku 26 vjeç, inspektor i policisë Bashkiake dhe Ervin Meshi, 35 vjeç, militant i PD-së, tashmë do të hetohen në gjendje të lirë.

Ashtu siç PD veproi edhe në Shkodër gjatë vlerësimit të masës së sigurisë për Bardh Spahinë dhe të arrestuarit e tjerë, me të njëjtin skenar presioni veproi edhe në Kukës. Militantë të PD, të kryesuar nga Kryetari i Bashkisë Kukës, Bashkim Shehu, dhe familjarë të personave të arrestuar protestuan para Gjykatës së Kukësit.

Policia e Kukësit arrestoi 5 persona, ku katër prej tyre janë punonjës të Bashkisë Kukës, pasi sulmuan KZAZ-në te gjimnazi  ‘Hazi Nela’, ku në bashkëpunim me njeri tjetrin shkatërruan derën e palestrës dhe i vunë zjarrin në oborrin e palestrës, ndërsa kundërshtuan policinë. Të arrestuarit janë; Ahmet Cahani 46 vjeç, shofer në Bashkinë e Kukësit, Ermal Haziri, 42 vjeç, shofer në Bashkinë e Kukësit, Ersi Biçaku 26 vjeç, inspektor i policisë Bashkiake, Lulzim Shehu, punëtor gjelbërimi, dhe Ervin Meshi, 35 vjeç, militant i PD-së.

Katër prej tyre dolën para gjykatës, ku prokuroria kërkoi “arrest shtëpie” për ta dhe gjykata ka dhënë vendimin e kërkuar nga organi hetimor.

Kryetari i Bashkisë Kukës Bashkim Shehu, ka reaguar për arrestimin e qytetarëve dhe punonjësve të Bashkisë, që kanë dalë para gjykatës. “Orë pas ore kryeministri Rama po shton presionin e paligjshmërisë që nxit qytetarët për reagime të forta në Kukës. Me çdo kusht kërkon ta damkosë Kukësin, pasi kuksianët i janë bërë pengesë dhunës e antishtetit të tij. Në territorin e Bashkisë Kukes janë arrestuar nga policia Ersi Biçaku polic bashkiak, Ahmet Cahani dhe Ermal Haziri shoferë sherbimesh, Lulëzim Shehu punëtor gjelbërimi, Ervin Meshi banor i Kukësit”, ka deklaruar ai.

Pas vendimit të Gjykatës së Kukësit, për ndryshimin e masës së sigurisë për disa protestues që sulmuan KZAZ-në pak ditë më parë, edhe Gjykata e Kavajës ka bërë një lëvizje të ngjashme.

Pasditen e të dielës Gjykata e Kavajës ka liruar nga qelitë e paraburgimit katër nga gjashtë të arrestuarit që sulmuan KZAZ-në e këtij qyteti pak ditë më parë. Ndërkohë për dy të tjerë, Arben Xhihanin dhe Ervin Bakllin, mbështetës të PD, Gjykata e Kavajës ka dhënë masën arrest me burg.



Skip to toolbar