Ish-kryebashkiaku i Lezhës përfiton nga amnistia: Burgun mos e provoftë askush…

AKTUALITET


Ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj, doli sot nga burgu i Reçit në Shkodër, pasi përfitoi nga amnistia penale.

Në një prononcim për mediat jashtë ambienteve të burgut ai tha: “Shëndet edhe mbarësi për gjithë shqiptarë kudo që janë. Burgu i shte një eksperience që uroj mos ta provoj askush”.

Kujtojmë se Fran Frrokaj u dënua me burgim për veprën penale shpërdorim detyre, për tjetërsim pronash tek “Rana e Hedhun” në Shëngjin.

Gjykata e Posaçme e shpalli atë fajtor për kryerjen e veprës penale “shpërdorimi i detyrës” duke i caktuar 2 vite burgim, por nga gjykimi i shkurtuar u dënua përfundimisht me 1 vit e 4 muaj burgim.

Ai dhe 15 ish-zyrtarë të tjerë të bashkisë së lezhës, u akuzuan se kishin bërë tjetërsimin e 234 mijë metrave tokë në bregdetin e Ranës së Hedhun në Shëngjin. Hetimet për tjetërsimin e pronave kanë nisur në vitin 2017-tës.

Pas shumë debatesh, ligji i amnistisë penale u miratua më 4 prilll në Kuvendin e Shqipërisë. Nga kjo amnisti përfitojnë personat të cilëve dënimi u ka marrë formë të prerë deri në datën 31 mars 2024.

Përfitojnë të dënuarit burra që u kanë mbetur pa vuajtur më pak se 4 vjet dhe gratë e të miturit që u kanë mbetur 5 vite, gratë që janë mbi 50 vjeç, burrat mbi 60 vjeç dhe personat që kanë qenë nën moshën 18 vjeç kur kanë marrë dënimin.

Ulja e dënimit do të jetë në 1.5 vite për burrat dhe 2 vite për gratë si masë lehtësuese. Nga amnistia do të përfitojnë 11 gra, dhe 11 të mitur që lirohen menjëherë.



Skip to toolbar