Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me Zëvendëskancelarin gjerman, Robert Habeck, janë oratorët kryesorë në ceremoninë e ndarjes së Çmimit të Karlit të Madh për vitin 2024. Ky event prestigjioz mbahet sot në Sallën e Kurorëzimit të Ndërtesës së Bashkisë së Aachenit.
Rama tregoi historinë e pritjes së hebrejve, dhe Shqipërinë si shembull i tolerancës në bashkëjetesën mes besimeve të ndryshme fetare
“Jam me fat që vij nga një vend që krenohet nga fryma e tolerancës shoqërore, me bashkëjetesën e ndërsjelltë të besimeve të ndryshme fetare, myslimane, ortodokse, madje dhe ateiste. Shqipëria një vend me shumicë myslimane ishte i vetmi vend në Europë që kishte më shumë hebrenj në fund të luftës së dytë Botërore përpara se të niste”
“Shkaqet për mosdakordësi nuk duhet të na çojnë në shkatërrim por mund të shndërrohen në dritare për të njohur tjetrin më mirë, dhe për tu pasuruar më shumë. Kjo formë tolerance që shqiptarët myslimanë e të krishterë shprehën ndaj hebrejve, kërkon frymën e vet të përkushtimit dhe angazhimit.
Toleranca do të thotë të dalim nga zona e rehatisë, të tolerojmë me respekt e aktivisht jo thjesht duke pranuar pikëpamjet e tjera por duke u angazhuar në mënyrë të përhershme në kompleksitetin e historive tona” tha me tej Rama.
Këtë vit, çmimi i jepet kryerabinit Pinchas Goldschmidt, President i Konferencës së Rabinëve të Evropës, për rolin e tij të rëndësishëm në promovimin e dialogut dhe tolerancës ndërmjet komuniteteve të ndryshme fetare në Evropë.
Që nga viti 1950, Çmimi i Karlit të Madh ka nderuar individë dhe institucione që kanë kontribuar në bashkimin dhe përparimin e Evropës. Ndër fituesit e mëparshëm janë figura të tilla si presidenti ukrainas, Volodimir Zelesnki, presidenti francez, Emmanuel Macron apo Papa Françesku.
Prej ditës së djeshme, kryeministri Edi Rama ndodhet në Gjermani