Pas Kreshnik Çollakut, Eralda Bano është deputetja e radhës e cila është larguar nga grupimi i Lulzim Bashës, për të shkuar tek Sali Berisha, pasi ky i fundit mori vulën dhe logon e Partisë Demokratike.
Eralda Bano, deputetja e PD në qarkun e Fierit, përmes një reagimi në rrjetet sociale, ka deklaruar ka marrë vendimin politik për të mbetur deputete e Partisë Demokratike.
Ndërkaq, një ditë më parë, Çollaku tha përmes një statusi se “Unë jam e do të mbetem deputet i Partisë Demokratike.” Reagimi në rrjetet sociale i deputetes Eralda Bano Të dashur qytetarë, Lufta me veten është lufta më e vështirë dhe forma më sublime e rimëkëmbjes, luftë e cila është e domosdoshme dhe jetike. Kjo luftë do duhet të na forcojë e të na kthejë në modelin më të mirë të vetes.
Demokratë të nderuar, Dëshiroj të shpreh përulësisht një mirënjohje të thellë për këdo që më ka mbështetur në këto vite! Jam mirënjohëse ndaj miqve, kolegëve,simpatizantëve të mi dhe kujtdo që ka marrë guximin të më kritikojë. Jam e bindur që në ditë të vështira nevoja për të reflektuar mbi të ardhmen prevalon mbi çdo ideologji, bindje apo mendim.
Jam e vetëdijshme se rruga më e mirë për të rikthyer shpresën në çdo vatër shqiptare është që të kemi një opozitë të formuar, të papërçarë dhe të pathyeshme, sikundër jam e bindur që debati i brendshëm duhet të vazhdojë për të mirën e të gjithëve.
Vendimi im politik është i thjeshtë. Unë jam, dhe do të mbetem deputete e Partisë Demokratike të Shqipërisë.