Pas diagnostikimit me kancer, në mars të këtij viti, Kate Middleton ka bërë sot daljen e saj të parë publike. Ajo po merr pjesë në festimin për ditëlindjen zyrtare të mbretit Karl III.
Middleton është fotografuar ndërsa hipën në makinë, ndërsa pritet me padurim nga publiku për të dalë në ballkonin e Pallatit Buckingham për urimin tradicional të mbretërve britanikë me rastin e kësaj feste.
Më herët në një postim në rrjete sociale Kate theksoi se ndihet mirë, por gjendja e saj shëndetësore nuk e ka kaluar akoma rrezikun. Në mars, ajo zbuloi se po i nënshtrohej kimioterapisë për ta mjekuar një lloj të paspecifikuar të kancerit.
“Po bëj përparim të mirë, por siç e dinë ata që i nënshtrohen kimioterapisë, ka ditë të mira dhe ditë të këqija”, tha Kate në një komunikatë, duke shtuar se përballet edhe “me disa muaj të tjerë” tretman.
Kate shtoi se “ende nuk e kam kaluar rrezikun” dhe zyrtarët thanë se paraqitja e saj të shtunën nuk nënkupton se ajo i është kthyer plotësisht jetës publike.