Ndikimi gjithnjë e më i madh i Kinës në Amerikën Latine po nxjerr tani anët e errëta. Pekini po ushtron presion të qëllimshëm në vende si Guatemala, në Brazil tregtarët janë të zemëruar.
Për eksportuesit e Guatemalës lajmi i ngjante një shoku. Siç njoftuan mediat lokale, Kina ndaloi importin e kafesë dhe mallrave të tjera nga Guatemala. Për këtë nuk kishte asnjë shpjegim zyrtar, por presidenti i Guatemalës, Bernardo Arévalo, spekuloi se kjo mund të kishte të bënte me marrëdhëniet e vendit të tij me Tajvanin. “Ne do të kujdesemi për këtë”, tha Arévalo.
Bashkë me Paraguajin Guatemala është i vetmi vend i Amerikës Latine, që ka marrëdhënie diplomatike me Tajvanin. Pekini e sheh shtetin ishull si pjesë të Kinës. Vitet e fundit Hondurasi dhe Nikaragua ndryshuan kah, duke u larguar nga Tajvani dhe duke u afruar me Kinën.
Kina: shumë konflikte në Amerikën Latine
Bllokada e mallrave nga Guatemala është njëri nga shumë konfliktet e vogla, që kanë nisur të errësojbë kursin e gjatë të zhvillimit dhe ekspandimit të Kinës në Amerikën Latine.
Megjithatë konfliktet kanë natyra së ndryshme, thotë në një intervistë për DW Vladimir Rouvinski nga Departamenti i Studimeve Politike në Universidad Icesi në Kolumbi. “Në këtë rast është e qartë, se bëhet fjalë për një mjet presioni, që po përdor Kina dhe jo aq kundër Guatemalës se sa kundër Tajvanit.”
Në Kosta Rika qeveria i bëri presion një menaxheri në kompaninë shtetërore të energjisë ICE që të largohej nga kompania, sepse rreth 70 punonjës të lartë kishin marrë pjesë në një festë të organizuar nga gjigandi kinez i teknologjisë Huawei.
Një mesazh për Kinën” nga presidenti i Kosta Rikës
Marrëdhëniet mes Kosta Rikës dhe Huawei-t janë tensionuar, pasi presidenti Rodrigo Chaves vendosi Konventën e Budapestit për Luftimin e Krimit Kibernetik si standard për angazhimin ekonomik në Kosta Rika, konventë të cilën Kina nuk e ka nënshkruar. Menjëherë pas kësaj shefi i Huawei në Amerikën Latine kritikoi veprimet e Kosta Rikës në një intervistë si “joprofesionale”.
Për politologun Rouvinski qendrimi i Chaves është “një mesazh për Pekinin, se edhe Kina duhet t`u përmbahet rregullave të lojës”.
Konventa e Budapestit është e para konventë ndërkombëtare për krimet e kryera përmes internetit. Në fokus të saj janë shkelja e të drejtave të autorit, mashtrimi kompjuterik dhe shkeljet e sigurisë në rrjet.
Ka edhe shembuj të tjerë të konflikteve ekonomike mes Kinës dhe vendeve të Amerikës Latine. Këtu bën pjesë zemërimi për çelikun e lirë nga Kina, i cili po i vë prodhuesit e Amerikës Latine nën presion të madh. Në Brazil butikët e modës e shohin ekzistencën e tyre të kërcënuar nga tekstilet e lira nga Kina. Në qendër të diskutimeve janë edhe akuzat se kompanitë kineze po dëmtojnë mjedisin me prodhimin e tyre.
Brazili vendos tarifa për importet nga Kina
Brazili tani po mbrohet kundër importeve të lira nga Kina me një taksë prej 20 për qind. Ajo vendoset për porositë me vlerë nën 50 dollarë, që kryhen përmes faqeve ndërkombëtare të internetit.
Sipas mediave braziliane gjigandi kinez online AliExpress u “befasua” nga vendimi. Taksa do të prekë veçanërisht më të varfërit dhe do të pengojë investimet e huaja në vend.
Në sektorin e tekstilit ka një zemërim të madh ndaj furnitorëve kinezë, sepse konzernet si Shein, të cilat prodhojnë në kushte dhe kondicione të ndryshme nga kompanitë e vogla braziliane, po shtyjnë mijëra kompani vendase nga tregu. Po përforcohet bindja se strategjia e Kinës po shkatërron strukturat tregtare lokale, në vend që t’i lejojë ato të përfitojnë.
Kush përfiton nga marrëdhënia ekonomike Amerikë Latine-Kinë?
“Kohët e fundit edhe në Amerikën Latine bëhen gjithnjë e më të qarta sfidat dhe rreziqet, që lidhen me ngjitjen e Kinës në një lojtar dominues në shumë fusha të ekonomisë dhe teknologjisë”, thotë në intervistë me DW, eksperti i Amerikës Latine Christian Hauser nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara Graubünden në Zvicër.
Në shoqëri të ndryshme të Amerikës Latine po rritet perceptimi, se nga marrëdhëniet ekonomike me Kinën përfiton para së gjithash Pekini, thotë Hauser. Prandaj kritikat ndaj praktikave tregtare të Kinës në rajon mund të bëhen edhe më të forta në të ardhmen.
Kësaj i shtohet edhe një komponenti i politikës së jashtme: “Vendet e Amerikës Latine po e gjejnë veten gjithnjë e më shumë në fushën e tensionuar të rivalitetit gjeopolitik mes SHBA dhe Kinës”, thotë Hauser. “Në këtë kontekst tensionet aktuale midis disa vendeve të Amerikës Qendrore si Guatemala dhe Kosta Rika dhe Kinës ka të ngjarë të jenë vetëm fillimi i marrëdhënieve më konfliktuale në të ardhmen.”
Vetëm me Nikaraguan marrëdhëniet e Kinës duket se janë të patundura. Atje qeveria autoritare ka ndaluar shumë organizata joqeveritare, disa prej tyre shumë aktive në mbrojtjen e mjedisit. Sipas mediave kritike ndaj qeverisë në Nikaragua kompanitë kineze brenda gjashtë muajve morën 13 licenca për projekte minerare.