Shqipëria ndodhet në Evropë – më pak se tre orë larg nga Parisi. Sipas Ministrisë Franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme, vendi mesdhetar është një destinacion i sigurt për të gjithë turistët, shkruan Thibault Petit në një artikull të botuar në të përditshmen franceze “Le Figaro”.
Nëse planifikoni të udhëtoni në Tokën e Shqiponjave, ja disa rregulla që duhet të dini;
Nuk ka nevojë për vizë për të shkuar në Shqipëri: edhe nëse ky shtet nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, mjafton një pasaportë ose një kartë identiteti e vlefshme franceze nëse jeni një turist.
Nëse qëndrimi juaj zgjat më shumë se 90 ditë, do t’ju kërkohet një vizë.
Klima
Vendi ofron një mot mesdhetar pasi rrethohet nga një vijë bregdetare mahnitëse dhe malet e larta.
Gjatë verës, Shqipëria është kudo me diell, e karakterizuar nga një mot i nxehtë dhe i thatë.
Mes qershorit dhe gushtit, temperaturat arrijnë 28°C deri në 34°C.
Në Tiranë, kryeqyteti shqiptar, vera është e këndshme – gjatë ditës temperaturat arrijnë në 30°C, por natën ato bien në 16-17°C.
Në vendpushimet bregdetare të Sarandës, në detin Jon, temperatura është rreth 35°C, ndërsa piku i vapës regjistron temperatura deri në 40°C.
Për fat të mirë, Shqipëria ka detin Adriatik në veri dhe detin Jon në jug: temperatura e ujit luhatet midis 22°C dhe 27°C.
Njihuni me të kaluarën
Shqipëria është një destinacion i ri turistik. Vendi ballkanik i hapi dyert për turistët e huaj në shekullin e XX.
Nga shekulli i XVI deri në vitin 1912, Shqipëria e sotme ishte pjesë e Perandorisë Osmane.
Përhapja e fesë islame filloi kryesisht me pushtimet osmane – trashëgimia e kësaj periudhe.
Në vitin 1944, Shqipëria u bë një vend komunist – një nga diktaturat më të ashpra në Evropë – deri në rrëzimin e këtij regjimi në vitin 1991.
Në vitin 1998, shpërtheu Lufta e Kosovës, e cila vendosi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kundër Serbisë.
Shqipëria, fqinji i Kosovës, mbështet aspiratat e UÇK-së për pavarësi. Në vitin 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj, një pavarësi e kundërshtuar nga Beogradi, por e njohur nga shumica e vendeve evropiane, përfshirë Francën.
Stema kombëtare e Shqipërisë është shqiponja dykrenare, simbol i rezistencës shqiptare kundër pushtimit osman.
Shqiponja dykrenare është edhe stema e Perandorisë Bizantine, pjesë e së cilës Shqipëria ishte për dhjetë shekuj – deri në mesin e shekullit të XV.