Vrasja e shqiptarit në burgun grek, zbulohet shkaku i sherrit mes shokëve të qelisë

AKTUALITET


Mediat greke kanë zbuluar detaje të reja nga vrasja e shqiptarit Alfons Doçi në burgun grek të Koridhalos. 35-vjecari i dënuar përjetë për një vrasje të dyfishtë u godit me thikë nga Xhilian Halili, shoku i tij i qelisë, një shqiptar me të cilin kishte pasur një njohje të vjetër.

Të dy së bashku u arratisën në vitin 2018-të gjatë transportimit nga një burg në tjetrin. Arratia zgjati vetëm 48 orë pasi u vunë sërish në pranga nga policia greke. Sipas asaj që kanë zbardhur hetimet, sherri mes dy shqiptarëve nisi për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi temperaturën e kondicionerit.

Fjalët e ashpra që shkëmbyen me njëri – tjetrin ua lanë vendin grushteve. Në një moment 42-vjeçari me nofkën “Niko” rrëmbeu një thikë kuzhine dhe e goditi ndaj shqiptarit disa herë. Nga përleshja u plagos edhe një i dënuar tjetër, Altin Vokrri nga Gjakova e Kosovës.

Ai ka marrë një goditje në shpatull dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Zyrtarët e burgut kanë gjetur edhe armën e krimit, thikën e kuzhinës me të cilën është kryer vrasja. Viktima Alfons Doçi ishte i dënuar për dy vrasje. Në vitin 2017 ai vrau një biznesmen në Atikën Perëndimore gjatë një grabitje. Pak kohë më vonë ai vrau një grua gjatë një tjetër grabitjeje.

Edhe autori Xhilian Halili është i dënuar për vrasjen e një shqiptari në 2011-ën në Peloponez, vrasje e porositur nga një kriminel grek. Viktima ndodhej në shoqërinë e djalit të tij, 2-vjeçar, por Halili nuk nguroi ta qëllonte me thikë në fyt duke i marrë jetën.



Skip to toolbar