“Ka jetë edhe përtej kënetës dhe moçalit 30-vjeçar politik”. Kështu u shpreh Enkelejd Alibeaj gjatë intervistës në “Real Story” në ABC News.
Në lidhje me situatën në të cilën ndodhet PD, ai tha se 2023 rezultoi të ishte formacioni politik që kishte më tepër se sa edhe vetë pushteti akses në media
Më tej ai theksoi se duhet bërë një përpjekje që të mos vazhdojë politika e pistë, ndërsa shtoi se ka jetë edhe përtej kënetës dhe moçalit 30-vjeçar politik.
Pjesë nga intervista:
Dakord, se në opozitë vetëm figurativisht është se ndërkohë influencën në media e ka 100 %.
Alibeaj: 2023 rezultoi të ishte formacioni politik që kishte më tepër se sa edhe vetë pushteti akses në media dhe partia zyrtare në disa media ishte me 0.
Jam dakord me atë që thoni se politika e pistë ka fituar gjithmonë në fund, por ama Rama mund të ketë një të drejtë dhe të thotë vërtetë e kam kundërshtar opozitën por e kam edhe partner. Në kuptimin që nëse do më duhet të bëj reforma, të biem dakord për kompromise politike, etj. në fund fare do drejtohem te partia kryesore e opozitës. Z.Berisha nuk e njohu kurrë Ramën si kryetar të opozitës, por ama pas Gërdecit shkoi dhe bëri kompromisin pa u takuar hiç, dhe u morën vesh për 72 orë me njëri tjetrin.
Alibeaj: Nuk po them unë se modeli i Ramës sot, ndryshon nga modeli i Berishës dje, është e njëjta gjë.
As unë nuk po them këtë. Unë po them një gjë tjetër. Rama mund ta konsiderojë nga pikëpamja historike që me PD e z.Basha duhet të kem partneritet por kur unë shikoj nga pikëpamja e shifrave që Berisha është personi më i votuar në kampin opozitar, në fund fare unë me atë do shkoj të bëj dakordësinë, siç e bëri për të kthyer normalitetin në parlament, me të do bëj komitetin e famshëm të dakordësisë. Me të do bëj ndryshimet edhe në komisionin antikorrupsion, se ai është personi më I votuar, personi më aktiv. Ndërkohë ku jeni ju?
Alibeaj: Dakord, po të ishte një arsyetim thjesht numerik, do isha edhe unë dakord.
Po politika e pistë me numra luan…
Alibeaj: Jo nuk është kaq e thjeshtë. Logjika ta do që ti zgjedh partnerin tënd atë që ka më tepër numra, sepse me të drejtë mendon se duhet të ketë legjitimitetin më të madh. Çfarëdo lloj reforme që të gëzojë legjitimitet sot dhe të jetë në kohë e shtrirë, do duhet me atë që ka legjitimitet më të madh. Në fakt, arsyeja e Ramës, nuk ishte se kishte legjitimitetin më të madh për shkak të numrave, numrat i kishte më tepër. Jo, për shkak të hallit të madh dhe mundësisë për ta përdorur në situata delikate të Ramës. Kështu e shoh unë.
Si Berisha pas Gërdecit pra, jam dakord me ju. Po puna është ku jeni ju?
Alibeaj: Ja po të them unë. Ajo ku ishim ne dhe ku jemi sot është, që do duhet bërë një përpjekje që të mos vazhdojë politika e pistë, duhet bërë një përpjekje apo jo. Ka jetë edhe përtej kënetës dhe moçalit 30 vjeçar politik. Nuk do konsiderohej si paaftësi e jona që pse nuk u bëmë si ata.
Paaftësia juaj është që nuk u bëtë diçka tjetër.. /abcnews.al