“Himara do të ketë një avokat të vetin në çdo institucion të vendit”. Kështu deklaroi Vangjel Tavo, kandidati socialist për bashkinë e Himarës në intervistën që dha për emisionin “Real Story”. Tavo shtoi se nuk do të ketë asnjë bashkëpunim me “ata që duan të fusin duart në xhepat e qytetarëve”.
“Më thatë për drejtorët e ASHK që janë shkarkuar dhe arrestuar, po iu them që çdo njeri që shkon në punë për gjëra të tjera, do të shkarkohet dhe do të shkojë në burg. Kështu që ata drejtorët që janë emëruar dhe shkarkuar, nuk mund të ekzistojnë më. Me mua nuk mund të bashkëpunojë njeri që fut duart në xhepat e qytetarëve, as pjesë e administratës së bashkisë nesër, sot si prefekt dhe nesër si kryetar i bashkisë, asnjë pjesë e administratës s’mund të mbijetojë me mua.
E kam treguar me vepra historikisht dhe sa i përket pyetjes a do të jem unë i gatshëm që t’i bëj oponencë edhe kryeministrit. Besoj se e dini shumë mirë se sa i gatshëm jam për të bërë oponencë dhe e kam bërë si pak të tjerë në parlament oponencën dhe kundërshtimin për gjëra parimore. Po iu them që Himara do të ketë një avokat të vetin në çdo institucion të këtij shteti.“, tha Tavo./abcnews.al