Intervista e plote e kandidatit të PS, Vangjel Tavo për Bashkinë e Himarës për gazetarin Sokol Balla në Real Story
Sokol Balla: Një reagim i parë pasi është bërë i njohur emri i kandidatit që do të jetë përballë jush, i zgjedhur drejtpërdrejt nga Vangjel Dule. Bëhet fjalë për Petro Gjikurinë, një emër i njohur në Himarë. Cili është reagimi juaj për këtë zotëri që vjen nga Shtetet e Bashkuara dhe ka qenë një nga mbrojtësit më të flaktë të Fredi Belerit?
Vangjel Tavo: Nuk kam asnjë koment sepse kundërshtarët ose rivalët kanë punën e tyre, unë timen. Nuk është fokusi im që kandidati rival. Asnjëherë në të gjitha përballjet e mia elektorale për parlament por edhe në zgjedhjet lokale, nuk jam marrë kurrë me rivalin pasi fokusi im edhe në të shkuarën, por sidomos tani, janë qytetarët dhe problemet e tyre. Zgjidhja e çështjeve që kanë shqetësuar dhe vazhdojnë të shqetësojnë qytetarët e bashkisë së Himarës, probleme që janë të njohura tashmë jo vetëm si shqetësime të banorëve por që këto çështje janë njohur edhe në të gjithë opinionin publik shqiptar edhe më gjerë. Çështje që kalonin herë pas here edhe kufijtë e bashkisë së Himarës dhe bëheshin probleme ndërshtetërore dhe krijonin ftohje të marrëdhënieve diplomatike mes vendeve. Ky do të jetë fokusi im, jo rivali. Shpresoj që edhe ai të ketë në fokus qytetarët dhe jo kandidatin dhe të bëjmë një fushatë të qytetëruar siç e meriton komuniteti himarjot.
Sokol Balla: Zoti Tavo nuk mund t’i shmangemi disa pyetjeve për shkak se personi që konkurron përballë jush vjen me një profil dhe qëndrime të caktuara. Ju pyes për qëndrimet e juaja, pasi mbeteni figurqë qendrore politike pavarësisht tani po merrni një detyrë në nivel lokal, që mbetet për ato arsye që thatë ju, një çështje shtetërore dhe kombëtare. Dikush mund të thotë se Tavo është me etni greke, vjen në një zonë ku himarjotët e deklaruar si grekë përbëjnë një përqindje të rëndësishme dhe thonë zoti Tavo, po e pranojmë që vjen nga pala përballë por cili është qëndrimi juaj për çështje që sipas tyre janë kardinale, një farë autonomie kulturore, vetëadministrimi apo një vetë kontrolli të Himarës, një lidhjeje direkte të saj me Athinën dhe Greqinë. Pra të gjitha këto çështje delikate, ku qëndron zoti Tavo, i cili gjithashtu është një nga personat të jashtëzakonshme me politikën e Athinës.
Vangjel Tavo: Unë jam shquar gjatë gjithë karrierës sime politike si një njeri që nuk krijon kurrë konflikt. Jam i parimit që çdo problem, nëse ekziston dëshira dhe vullneti është i zgjidhshëm. Edhe pikërisht këtë do bëj. Çdo problem të komunitetit himariot ta trajtoj me seriozitetin më të madh dhe t’i jap zgjidhje në mënyrë që të mos agravohet dhe të bëhet pjesë e krizës përsëri si në të kaluarën. Pra, unë do të kontribuoj në këtë drejtim.
Bëhet fjalë për çështje si ajo e pronave dhe çështje të tjera që janë sensibile. Çdo çështje ka zgjidhje kur ekziston vullneti i mirë i palëve për ta trajtuar dhe zgjidhur. Këtu nuk shikoj mungesë vullneti, përveçse mungesë vullneti të një grupi të caktuar që duan të krijojnë konflikt ose për të shfrytëzuar pakënaqësitë e ligjshme të krijuara në atë komunitet, për t’i shfrytëzuar për interesa të disave dhe për t’i bërë këto konflikte dhe më të mëdhaja. Kjo do të marrë fund sepse nuk do të ekzistojë më problemi, do të zgjidhen problemet dhe këtë ua garantoj. Sikurse një nga çështjet kryesore që ka krijuar shqetësim të madh te komuniteti i Himarës që herë pas here është keqpërdorur nga ky grupim njerëzish, të cilët janë përkëdhelur nga disa qarqe, e kanë përdorur gjithmonë këtë shqetësim, këtë indinjim të banorëve të Himarës, këtë karakter të tyre. Ua kam thënë dhe po ua them, Himara është një popull me histori të lavdishme dhe kanë të drejtë të krenohen me të parët e tyre. Kanë të drejtë të indinjohen kur njerëz të caktuar e keqpërdorin Himarën dhe fyejnë identitetin e himarjotëve. Kur them njerëz të caktuar kam parasysh këtu ndonjë politikanë dhe ndonjë gazetar apo analist. Himara është e himarjotëve dhe duhen respektuar si të tillë. Himarjotët nuk janë të interesuar që të krijojnë probleme, të marrin pronat e tyre, të marrin certifikatat, një proces që e kemi nisur dhe do ta përfundojmë shumë shpejt.
Sokol Balla: Zoti Tavo, e shikoj kandidimin tuaj edhe si një reflektim të qeverisë qendrore, e cila besoj unë në gjithë këto vite, edhe qeveritë e tjera, kujtohen për Himarën sa herë kanë zgjedhje. Më është bërë qejfi që me ardhjen tuaj si prefekt i qarkut të Vlorës filloi një proces i ndarjes së certifikatave të pronësisë pasi siç e folëm më herët, himarjotët kanë të gjithë të drejtën e botës kur shikojnë që t’u vidhen dhe shiten tokat e tyre dhe të mos kenë dot akses as te vija e detit. Por t’i rikthehemi pak pikës delikate…
Vangjel Tavo: Kanë të drejtën e Zotit ta gëzojnë rivierën e tyre, pronat e tyre. Po e them, kjo është një deklaratë që e bëj për herë të parë në televizionin tuaj dhe është publike, ta harrojë kushdo se mund të përfitojë ndonjë metër katror të banorëve të Himarës me firmën e Vangjel Tavos. Kjo s’do të ndodhë kurrë.
Sokol Balla: Besoj se do ta mbani fjalën siç edhe e keni mbajtur herë të tjera. Megjithatë, që të arrihet te ky proces, duhet të kapërceni dekada zemëratë, indinjim dhe keqpërdorim e korrupsion me çështjen e Himarës dhe pikërisht te kjo hapësirë, siç thatë ju, kanë abuzuar disa të tjerë, të cilat kanë bërë që në zgjedhjet e 2023, zoti Beleri, që doli në fushatë me flamurin e Vorio-Epirit, ndër të tjera të votohet edhe nga ata të cilët mendojnë, besojnë dhe shpresojnë por votojnë Belerin si një person i cili thotë se Himara është greke por Vorio-Epiri ekziston. Cili është pozicioni juaj në këtë çështje zoti Tavo, duke qenë edhe një përfaqësues shumë i lartë dhe i nderuar i minoritetit grek në Shqipëri.
Vangjel Tavo: Ka shumë arsye, nuk është analizë e plotë kjo që bëni se pse njerëzit kanë votuar Belerin në Himarë. Ka shumë arsye dhe e kam bërë analizën time të rezultatit të zgjedhjeve të 2023. Nuk është fitore e Belerit, por humbje e palës tjetër. Këtë analizë e kam bërë mirë gjatë kësaj kohe…
Sokol Balla: Por ama e kanë votuar zoti Tavo, duhet ta pranojmë këtë që e kanë votuar dhe shumë njerëz që nuk besojnë se Himara është greke dhe Vorio Epiri ekziston.
Vangjel Tavo: E kanë votuar. Lëri njerëzit, lërini himariotët në të drejtën e tyre të mendojnë dhe të shprehin atë që duan. Të gëzojnë atë që i takon. Nuk mund të ndërhyjmë ne në të drejtat e tyre dhe të drejtojmë ne ashtu siç duam opinionin publik dhe jo siç është në realitet. Problemi kryesor i pronave që kanë pasur himarjotët është në rrugëzgjidhje. Këtë nuk e them si premtim elektoral dhe nuk kam për ta patur pjesë të fushtës elektorale. Kjo është çështje që duhej të ishte zgjidhur para 30 vitesh. Kanë ardhur dhe ikur qeveri, janë rikthyer dhe kanë ardhur qeveri të tjera dhe përsëri ky problem nuk është zgjidhur. Brenda 2 muajve, ndërkohë që për 30 vjet nuk janë dhënë, brenda dy muajve janë shpërndarë 1226 certifikata dhe janë gati akoma 400 të tjera që janë përfunduar në 8 ditëshin e fundit. Pra, me këtë proces do vazhdojmë, deri në fund të tetorit, nuk do ketë himarjot që ka aplikuar dhe që s’do të ketë marrë certifikatën e pronësisë. Ky është angazhim jo thjesht elektoral. E kam thënë në prefekturë. Nuk është angazhimi im. Ka qenë ideimi, angazhimi dhe këmbëngulja e kryeministrit. Mua më ka caktuar që të koordinoj punën për të përshpejtuar këtë proces. Është proces, që kur ekziston vullnet, zgjidhet.
Sokol Balla: Në mënyrën se si folët, besoj se do të përpiqeni që kjo çështje të zgjidhet. Ndërkohë, gjatë këtyre viteve të fundit, ne kemi pasur largime drejtorësh kadastre, shkarkime dhe arrestime. Arrestime kryetarësh bashkie, dorëheqje kryetarësh bashkie që s’i kanë rezistuar dot presionit të madh. Dikush mund të thotë që ka ardhur nga poshtë, nga sekserë, banditë apo kriminelë apo dikush tjetër mund të thotë se ka ardhur edhe nga lart nga qeveria. Dhe një himarjot që është i prekur nga të gjitha, thotë ok do t’i besoj zotit Tavo, por nëse më garanton që do të jetë oponencë edhe e kryeministrit Rama dhe e qeverisë qendrore dhe nuk do të lejojë që të merren vendime kundër interesave të Himarës, atëherë ai e meriton votën time.
Vangjel Tavo: Më thatë për drejtorët e ASHK që janë shkarkuar dhe arrestuar, po iu them që çdo njeri që shkon në punë përveçse se të kryejë detyrën por për gjëra të tjera, do të shkarkohet dhe do të shkojë në burg. Kështu që ata drejtorët që janë emëruar dhe shkarkuar, nuk mund të ekzistojnë më. Me mua nuk mund të bashkëpunojë njeri që fut duart në xhepat e qytetarëve, as pjesë e administratës së bashkisë nesër, sot si prefekt flas dhe nesër si kryetar i bashkisë, asnjë pjesë e administratës s’mund të bashkëjetojë me mua. E kam treguar me vepra historikisht dhe sa i përket pyetjes a do të jem unë i gatshëm që t’i bëj oponencë edhe kryeministrit, besoj se e dini shumë mirë dhe shumë të tjerë e dinë se sa i gatshëm jam për të bërë oponencë. E kam bërë si pak të tjerë në parlament oponencën dhe kundërshtimin për gjëra parimore. Po iu them që Himara do të ketë një avokat të vetin në çdo institucion të këtij shteti.
Mentor Nazarko: Më vjen mirë që Tavo, jo thjesht në intervistën tuaj por edhe në të mëparshme, e ka çmagjepsur gjithë këtë diskutim rreth Himarës na variabla nga cilësori etnik. Psh ai ka përdorur termin ‘ata që ndihen grekë’, ky është termi më i saktë. Kush të ndihet grekë le të thotë të jem grek. Kjo është qasje e duhur edhe nga këndvështrimi ligjor dhe nga kompetenca që ka kryetari i bashkisë. Kryetari i bashkisë nuk merret me përcaktimin e identitetit etnik të banorëve që e votojnë atë, por me zgjidhjen e problemeve jetësore, me vizionin e zhvillimit të atij komuniteti dhe duke e parë kështu mua më vjen mirë që së pari me zgjedhjen e Tavos, Shqipëria ka bërë një hap të mencur, që ta nxjerrë çështjen e Himarës nga problematika e marrëdhënieve dypalëshe. Është shumë vështirë që të etiketosh nëj njeri si Tavo që ka një historik personal, angazhimi në favor të minoritetit dhe të thuash se ti je filo shqiptar se ti je antigrek etj, këtë nuk t’ja thuash. Pra, mendoj se kjo është një arritje e madhe. Së dyti, për shkak të eksperiencës së tij si njeri biznesi por edhe në role të caktuara të menaxhimit të parasë publike, mendoj që zoti Tavo do t’i ofrojë Himarës një vizion zhvillimor, në përputhje me të qeverisë, i cili e shikon Himarën si një të tërë. Pra, si atë që është pjesa e bregdetit që ofron potencialet natyrore, por edhe pjesën tjetër të bujqësisë që vjen nga Himara historike e vranishtit etj. Këtu, do t’ju pyes diçka që mund t’ju ngjajë si provokim. Te çështja zhvillimore, ajo çka është interesante në raportin e Himarës me Greqinë në këto 30 vjet, është fakti që nuk janë afruar asnjëherë grekët që të investojnë në Himarë për ta zhvilluar. Kanë ardhur ata që quhen investitorë nga Tirana dhe Shqipëria dhe kjo e bën të domosdoshme që ai himarjoti….
Sokol Balla: Ju po thoni se Greqia ka qenë e interesuar që ta lërë djerrë Himarën…
Mentor Nazarko: Që ta ketë Himarën si problem të vazhdueshëm në marrëdhëniet mes dy vendeve. Dhe këtu në gjuhën e tij të kujdesshme, dhe zoti Tavo foli për qarqet dhe individët. Doja ta pyes që si është pritur kandidatura juaj në Greqinë politike. Di që keni marrëdhënie të mira me të dyja krahët e politikës greke, me të djathtën dhe të majtën. Nuk kam asnjë kompleks që ta them që Himarën kanë dashur ta kenë problem ato pjesë të institucioneve greke, që janë pjesa e errët e tyre, shërbimet etj, por jo Greqia politike. Natyrisht kur vjen fushata zgjedhore, të dyja palët duan ta përdorin. Dua të di se si është pritur të miqtë tuaj grekë kandidimi juaj për Himarën.
Vangjel Tavo: Më lejo që te komenti që keni bërë, jo të shtoj a të heq asgjë sepse është shumë i saktë por dua t’ju them se është e çuditshme sesi trajtohen himarjotët. E them me plot të drejtë çdo njeri është ai që ndihet dhe nuk besoj se bëj donjë gabim në këtë pikë. Por është e çuditshme sesi trajtohet në këto qarqe po edhe në Greqi në një pjesë të politikës greke, edhe pse të gjithë janë me pasaportë, ata që votojnë për Edi Ramën nuk janë grekë, kjo ndodh në Dropull s’e kam për Himarën. Ata që votojnë për Berishën dhe koalicionin e tij qenkan grekë. Çfarë kuptimi ka kjo? A është e qëllimshme? Padyshim që është. Për ta përmbyllur, po iu them, unë ashtu sikurse në Shqipëri kam pasur dhe kam marrëdhënie shumë të mira me të gjitha grupimet politike, edhe në Greqi kam marrëdhënie të mira me të gjitha forcat politike dhe kam marrë shumë telefonata që kur është lakuar emri im dhe deri në përcaktimin përfundimtar të kandidaturës. Telefonata mbështetëse nga miqtë e mi politikanë, ku padiskutijm fare nuk kanë pasur as më të voglin kompleks për të më thënë je i duhuri për të drejtuar atë bashki dhe për të zgjidhur problemet që janë krijuar dhe që mund të tentohet ndonjëherë por që s’do të kenë shanse ta bëjnë në të ardhmen.
Sokol Balla: Unë kam vetëm një pyetje të fundit pak me humor, pak me ngacmim, pak me seriozitet. Mbrëmë kisha Shpëtim Idrizin në studio në intervistë dhe i kërkova zotit Idrizi, se çfarë thoni për kandidaturën e zotit Tavo që vjen nga mazhoranca dhe cila është ideja juaj. Ai kishte disa ide të tjera, por kur erdhi puna te ju, po e perifrazojë pak, njeri i jashtëzakonshëm, ju vlerësoj nga ana personale dhe politike, dhe tha që mbështetja jonë modeste publike është për emrin e Zotit Tavo, për bashkinë e Himarës. Edhe në këto momente unë po ju bëj një pyetje. Ju keni dy shtetësinë, greke dhe shqiptare. Nga etnia jeni grek, keni kryer funksione publike shqiptare, po kandidoni për një vend shumë të rëndësishëm. A ndjeheni ju patriot shqiptar?
Vangjel Tavo: Çfarë përgjigje pret Sokol? Unë jam patriot shqiptar padyshim dhe po aq patriot grek padyshim, nuk jam ekstremist nacionalist i asnjë pale, Sokol. Asnjëherë nuk kanë gjetur mbështetje te unë, idetë nacioliste. Padyshim që jam patriot dhe kam kontribuar për këtë vend, për këtë popull në të gjithë jetën time për aq kohë sa kam pasur mundësinë që të isha dhe përfaqësues. Unë padyshim kam kontribuar për zonën time, për vendlindjen time Dropullin, por mos harroni unë kam qene dhe aq deputet dhe i Labirisë, Lunxhërisë, Zagorisë, Libohovës, Tepelenës dhe Përmetit. Për mua është një pyetje që nuk duhet bërë fare, për një njeri që ka kontribuar kaq vite në politikë dhe kaq vite ndaj një komuniteti, i cili nuk ka qene vetëm pjesë e minoriteti, por edhe pjesë tjetër shqiptare në zonën time elektorale. Nuk gjejnë dot mbështetje te unë teoritë ekstremiste nacionaliste. Unë asnjëherë nuk kam qene i tillë dhe kuptohet nuk mund të bëhem sot.
Sokol Balla: Zoti Tavo i pranoj të gjitha kritikat për pyetjen, sepse nëse ma lejon po dal jashtë vetes time si profesionist, por si shqiptar, kjo është përgjigja më e bukur që unë kam dëgjuar ndonjëherë që vjen nga Himara. Unë të falenderoj shumë, të uroj suksese dhe shpresoj që ti të jesh kryetari i ardhshëm i Himarës, sepse mbas shumë dekadash Himara do të jetë për himariotët. Edhe po e mbyll me një batutë filmi, “Vangjel kujdes pronat”.
Vangjel Tavo: Ju falenderoj shumë dhe padyshim ata që do të përfitojnë më shumë nga këto zgjedhje do të jetë Himara dhe himariotët. Padyshim, nuk ka më fjalë “Kujdes pronat” sepse nuk do të tolerojë asnjë që të abuzojë me pronat e himariotëve.
Sokol Balla: Faleminderit Tavo dhe suksese më 4 gusht.