Ministria e Mbrojtjes ka treguar si paraqitet situata e zjarreve në vend, pas luftës me flakët për ditë të tëra. Mësohet se është bërë e mundur shuarja e zjarrit në Dropull. Ndërsa, në fshatin Kakodhiq në bashkinë e Delvinës po vijon aksioni për shuarjen e zjarrit.
Gjithashtu, po vazhdon edhe pranë liqeneve të Lurës në Dibër. Postimi i plotë i Ministrisë së Mbrojtjes: Pas një pune të pandërprerë forcat e emergjencave civile, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit në bashkinë Dropull, ku situata po vazhdon të monitorohet për të shmangur çdo mundësi riaktivizimi. Në fshatin Kakodhiq në bashkinë e Delvinës po vijon aksioni me forcat e bashkisë, efektivët e Forcave të Armatosura, forca shtesë zjarrfikësish nga Berati, por edhe dy avionë PZL nga Greqia, për shuarjen e flakëve. Po ashtu operacioni vazhdon edhe pranë liqeneve të Lurës në Dibër.
Mirënjohje të gjithë efektivëve të angazhuar si dhe autoriteteve greke që po asistojnë me dy avionët tip PZL në shuarjen e flakëve në fshatin Kakodhiq! Përsërisim thirrjen për kujdes të shtuar gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta, në mënyrë që të shmangen ngjarje që dëmtojnë mjedisin dhe pasurinë tonë të përbashkët!/abcnews.al