BE: Izraeli ka bërë zgjerimin më të madh në dekada të vendbanimeve në Bregun Perëndimor

BOTA


Izraeli  vitin e kaluar ka ndërtuar numrin më të madh të vendbanimeve në Bregun e pushtuar Perëndimor që nga Marrëveshja e Oslos në vitet ’90, tha zyra përfaqësuese e Bashkimit Evropian për territoret palestineze.

Planet për ndërtimin e 12.349 njësive të banimit në Bregun Perëndimor shkuan drejt miratimit, tha zyra e BE-së, duke paralajmëruar se një gjë e tillë do të ndikojë në arritjen e një ujdie të mundshme për zgjidhjen me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.

Edhe 18.333 njësi janë në proces të planifikimit në Jerusalemin e aneksuar Lindor, tha zyra e BE-së.

Numri i përgjithshëm i njësive të banimit në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor është 30.682, tha BE-ja, duke theksuar se ky është numri më i lartë i vendbanimeve të reja që nga viti 2012.

Ky njoftim vjen në kohën kur tensionet janë rritur në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor për shkak të luftës në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja – që nisi më 7 tetor.

“BE-ja vazhdimisht i ka bërë thirrje Izraelit që të mos çojë përpara planet për ndërtimin e vendbanimeve dhe të ndalë të gjitha aktivitetet në këtë drejtim”, tha zyra e BE-së.

BE-ja shtoi se vazhdon të ketë qëndrimin se “vendbanimet janë të paligjshme, sipas ligjit ndërkombëtar”.

Të gjitha vendbanimet e Izraelit në Bregun Perëndimor, të pushtuar më 1967, konsiderohen të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar, pavarësisht nëse Izraeli ka leje për ndërtimin e tyre. Në Bregun Perëndimor aktualisht jetojnë rreth 490.000 kolonë izraelitë, së bashku me rreth 3 milionë palestinezë. Partitë e ekstremit të djathtë në koalicionin aktual qeverisës të Izraelit kanë kërkuar përshpejtimin e zgjerimit të vendbanimeve të reja./REL/



Skip to toolbar