E pabesueshme ajo që ka ndodhur në Britaninë e Madhe mbrëmjen e sotme. Teksa policia ishte mobilizuar si kurrë më parë, duke nxjerrë në rrugë mbi 6000 efektivë për të mbarëvajtur rendin dhe sigurinë në 100 tubimet e paralajmëruara nga ekstremistët e djathtë, mijëra britanikë kanë dalë në sheshe dhe rrugë në shenjë kundër proteste.
Autoritetet prisnin trazira të reja anti myslimane në mbrëmje, pasi grupet e ekstremit të djathtë u zotuan se do të shënjestrojnë qendrat e azilkërkuesve në mbarë vendin, por thirrjet e këtyre të fundit duket se kanë nxitur mijëra britanikë dhe emigrantë që të dalin në protesta antifashiste.
Turma të mëdha njerëzish që brohorasin njëzëri “refugjatët të mirëpritur” po marshojnë në zonat e përcaktuara nga ekstremi i djathtë për të kryer trazira.
Kundër-protestuesit kanë dalë me mijëra në Bristol, Birmingham, Brighton , Liverpool, Newcastle, Sheffield dhe disa bashki të Londrës për të dërguar një mesazh të qartë se “Britania nuk e mirëpret urrejtjen”.
Jashtë qendrës së Asylum Link në Liverpool, mbështetësit mbushën rrugën duke mbajtur në duar pankarta që shkruanin: “Kundër nazistëve”, “Pensionistët e Merseyside luftojnë kundër” dhe “Kur të varfrit fajësojnë të varfrit, fitojnë vetëm të pasurit”, apo “Dashuri, jo urrejtje”.
Në Brighton dy grupe të ndryshme u panë në protestë, teksa dominonin ata që mbështesnin refugjatët, ndërsa ekstremistët e djathtë u panë teksa mbanin në duar flamurin e Shën Gjergjit.
Në zonat Walthamstow dhe North Finchley të Londrës, ku ka prezencë të lartë të komuniteteve të emigrantëve, qindra protestues u mblodhën për të shprehur mbështetjen e tyre për refugjatët pranë qendrave të ndihmës.
Demonstruesit mbanin në duar pankarta që shkruajnë: “Refugjatët janë të mirëpritur“.
Kundër demonstratat ndodhën pasi dhjetëra arrestime dhe dhjetëra dënime u bënë pas më shumë se një javë trazirash, ngjarje që ishin derivate i një sulmi të ndodhur në Southport më 29 korrik ku tre vajza të reja mbetën viktima në një klasë kërcimi.