Adi Krasta përballet me lumë akuzash në Kosovë, s’mori masa për një raportim joetik të RTK

AKTUALITET


Dorëheqja e kryetarit të Bordit të Radiotelevizionit Publik të Kosovës, Besnik Boletini është shoqëruar me kritika dhe hije dyshime kundrejt drejtuesve aktualë të RTK-së.

Në shkrimin e tij, Boletini ka lënë të kuptohet se Adi Krasta, i cili aktualisht mban postin e ushtruesit të detyrës së kreut të përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës është bërë barrierë dhe nuk lejon të çojë përpara hartimin e një raportin hetimor për shkeljet e pretenduara profesionale nga televizioni publik, kundër disa mediave online të Kosovës.

Mosmarrja e masave nga Adi Krasta ndaj personave përgjegjës, që kanë lejuar transmetimin e një lajmi të rremë në RTK, është pritur me kritika të forta nga opinioni në Kosovë.

Ka qenë, analisti Fitim Salihu, i cili kritikuar ashpër U.D Drejtorin e RTK-së, Adi Krasta, pengesa e të cilit e bëri të pamundshme llogaridhënien për lajmin në RTK dhe shkarkimin e drejtorit të TV-së, Rilind Gërvallës pas publikimit të lajmi të rremë, që shigjetonte mediat Nacionalen dhe Periskopin.

Sipas tij, duke mos nxjerrë para përgjegjësisë autorët e lajmit të gënjeshtër, Adi Krasta dhe marionetat e tjera të Albin Kurtit, e kanë kthyer RTK si “RTS-in e Sllobes”

“Duke mos i nxjerrë para përgjegjësisë urdhëruesit e shëmtisë se transmetimit te lajmit te rrejshëm te “Sllobodna Bosnes”, Adi Krasta dhe marionetat e tjera te Albin Kurtit ne RTK, nga sot vendosen ta bejne RTK-ne si RTS-in e Sllobes. Radio-televizioni qe paguhet me parate e te gjithe qytetareve, nga sot do te jete nje altoparlant propagandistik i lajmeve te rrejshme te regjimit”, thekson Salihu.

Po ashtu edhe redaktori i një tjetër televizioni (KTV), Besnik Krasniqi shkroi në një reagim se Adi Krasta dikur ishte shembull, por sot i ka zhgënjyer të gjithë me aktet e tij.

“E kemi pas idol, na doli karikaturë”, shton ai.

Të tjerë gazetar, si Parim Olluri ka reaguar ashpër pas fotografisë së Dejona Mihalit dhe Adi Krastën në një karburant Sipas tij, Adi Krasta u shndërrua në servil i Dejona Mihallit të VV-së.

“Adi Krasta, “disidenti” i Edi Rames ne Shqiperi na u be servil i Dejona Mihalit ne Kosove. Te ishte bile servil i Kurtit direkt. Do te ishte pak ma dinjitoze”, ka shkruar Olluri në Facebook.

Kritika janë bërë edhe nga bota universitare. Profesori Milazim Krasniqi ka ironizuar Lëvizjen Vetëvendosje, duke shkruar se në vend të Bashkimit Kombëtar që e kishin dikur kryefjalë tani e kanë lënë vendin “nënmbikëqyrjen e disa ikanakëve nga Shqipëria, si Dejona Mihalin dhe Adi Krastën.

“Ne vend te bashkimit kombetar, LVV e ka vendosur Kosoven nen mbikeqyrjen e disa ikanakeve nga Shqiperia. Kosova e meriton kete kujdes. Deri sa te arrije nivelin e Himares, ku shqiptaret qallamiten ndermjet tyre, duke perkrahe dy greke per kryetarë. Ne rastin tone Dejona e Adi jane kandidat ideal per kryetarë. Urime suksese.” –  thekson ai.

Edhe anëtarë të partive opozitare kanë reaguar për këtë skandal të RTK-së dhe heshtjen e Adi Krastës për të mos marrë masa ndaj drejtori të TV-së, Rilind Gërvalla.

“Fati i RTK-së vendoset në pompa benzine. Fati i RTK-së dhe mediave tjera në Kosovë vendoset nëpër kafe e pompa të derivateve. Albin Kurti i ka degraduar raportet zyrtare me Shqipërinë, edhe në rastin e autorizimit të marionetave të llojit të Dejona Mihajlit e Adi Krastës, e para dikur e kishte te ndaluar hyrjen në Kosovë, i dyti një profiter, shkelës i ligjeve në Kosovë. Ja në duart e kujt ka mbetur fati i RTK-së”, shkruan deputeti Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu.

Sakaq, kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletin dhe anëtarja e këtij organi, Arta Berisha, kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre pas publikimit të lajmit të rremë të publikuar nga RTK-ja për mediat e tjera në vend.  Ky akt i RTK-së është dënuar nga të gjithë njerëzit e medias në Kosovë.



Skip to toolbar