Leverkusen e Xhaka vazhdojnë “çmendurinë”, tjetër fitore për “infarkt” e kampionëve të Gjermanisë

AKTUALITET


Është parashikuar që mrekullia mund të përsëritet. “Aspirinat” e Bayer Leverkusen janë kampionët në fuqi të Gjermanisë, e pritet ta mbrojnë titullin kampion pavarësisht madhështisë së Bayern Munich, ndërsa sezonin në Bundesliga e nisën me një tjetër çmenduri.

Granit Xhaka shënoi golin e parë të edicionit të ri në kampionatin gjerman, në transerftën e Borussia Monchengladbach, veçse përfundimi ishte edhe një herë për “infarkt”.

Skuadra e trajnerit Xabi Alonso e nisi shumë mirë duelin duke arritur epërsinë 2-0, me rrjeta të Xhakës e të sulmuesit të Gjermanisë, Florian Wirtz, por nuk arriti ta mbronte. Borussia vendase u përgjigj në pjesën e dytë me dy gola nga zvicerani Nio Elvedi dhe nga Tim Kleindienst pesë minuta para fundit, veçse historia nuk ishte mbyllur.

Wirtz dha fitoren kampionëve pikërisht në minutën e 11-të shtesë, diçka e rrallë, por që për Leverkusenin është bërë e zakonshme, teksa që nga fillimi i sezonit të kaluar, “Aspirinat” kanë shënuar 21 herë në fund fare, duke arritur shumë fitore.

Tashmë, skuadra e Leverkusen ka 35 ndeshje radhazi pa humbje në Bundesligë, me 28 fitore e 7 barazime, teksa edhe vetë Xabi Alonso u habit nga kjo që ndodhi dhe pas ndeshjes u shpreh se nuk e kishte të lehtë që të shpjegonte sesi ekipi i tij ia doli mbanë përsëri. /i.m /abcnews.al



Skip to toolbar