Presidenti Volodymyr Zelenskiy tha të shtunën se Ukraina do të bënte gjithçka për të detyruar Presidentin rus Vladimir Putin që t’i japë fund luftës përmes diplomacisë. I pyetur se si e sheh fundin e luftës me Rusinë, e cila po i afrohet muajit të 30-të të saj, zoti Zelenskiy përsëriti qëndrimin e tij se integriteti territorial i Ukrainës duhet të rivendoset.
Gjatë një konference për shtypin ai tha se operacioni i Ukrainës në rajonin Kursk u krye për të parandaluar sulmet ruse në veri dhe në drejtim të qytetit rajonal, Sumyt.
Ai shtoi se operacioni ishte i vështirë, por sikurse tha, e sheh përparimin e tij pozitivisht. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, njoftoi gjithashtu se 115 robër lufte ishin kthyer nga Rusia dhe falënderoi Emiratet e Bashkuara Arabe për rolin e tyre ndërmjetësues.
Po të shtunën Presidenti ukrainas nënshkroi disa ligje që kishin në shënjestër Rusinë ndërsa vendi i tij shënoi 33 vjetorin e pavarësisë nga ish-Bashkimi Sovjetik. Po kështu u ratifikua statuti që i hap rrugë Ukrainës për t’u bashkuar me Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
Ratifikimi i Statutit të Romës nga ana e Kievit rrit shanset që Rusia të ndiqet penalisht për krime lufte që nga fillimi i sulmit në shkurt të vitit 2022, tha zyra e zotit Zelenskiy. /VOA