Pse Rusia po synon të pushtojë qytetin strategjik ukrainas të Pokrovskut?

BOTA


Forcat ruse janë afër pushtimit të qytetit me rëndësi strategjike, Pokrovsk, që gjendet në rajonin lindor ukrainas të Donjeckut, duke nxitur shumë banorë të evakuohen nga frika se qyteti do të bjerë në duart e rusëve në javët në vazhdim.

Në këtë artikull mund të mësoni gjërat kyçe për këtë qytet dhe për betejën që po zhvillohet për të.

Rëndësia e Pokrovskut

Pokrovsku është një rrugë, një qendër e hekurudhave dhe një qytet, që para nisjes së luftës kishte 60.000 banorë. Dhjetëra mijëra persona banorë janë ende në qytet, pavarësisht se shumë të tjerë janë evakuuar.

Ky qytet gjendet në një rrugë kyçe që përdoret nga ushtria ukrainase për të furnizuar poste ushtarake në zona të kontrolluara nga Ukraina, sikurse në qytezën e Çasiv Jarit dhe Kostintinivkas në rajonin e Donjeckut.

Një minierë e qymyrit, që është prodhuesja më e madhe e qymyrit në Ukrainë që përdoret në industrinë e çelikut dhe ishte vital për ekonominë e paraluftës.

Që nga viti 2014, kur Ukraina humbi kontrollin e kryeqytetit rajonal – qytetit të Donjeckut – Pokrovsku ka qenë mikpritës i një universiteti të rëndësishëm teknik, që është më i madhi dhe më i vjetri në rajon.

Pse e dëshiron Rusia Pokrovskun?

Moska ka thënë se ka aneksuar rajonin lindor ukrainas të Donjeckut, një pretendim që Kievi e cilëson si të paligjshëm. Moska e sheh marrjen e kontrollit të Pokrovskut si hap të rëndësishëm drejt përfshirjes të tërë rajonit në Rusi.

Kontrolli i qytetit, që mediat ruse e quajnë “portë për në Donjeck”, do t’i lejonte Moskës që të ndërpriste linjat furnizuese ukrainase përgjatë frontit lindor dhe do të forconte fushatën e saj për të marrë qytezën e Çasiv Jarit, që gjendet në një terren më të lartë që potencialisht do t’i ofronte kontrollin e një zone më të gjerë.

Nëse ushtrisë ukrainase i kufizohet qasja në rrjetin rrugor që kalon në afërsi të këtij qyteti, një gjë e tillë do ta bënte më të vështirë për trupat e Kievit që të mbajnë nën kontroll pjesë të territorit në secilën anë të Pokrovskut. Një gjë e tillë do t’i mundësonte Rusisë që të konsolidohej dhe të avanconte në vijën e frontit.

Çfarë po bën Ukraina për të mbrojtur Pokrovskin?

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili ka paralajmëruar se situata afër Pokrovskut është “e vështirë”, tha më 26 gusht se pasi është njoftuar nga shefi i ushtrisë, Ukraina ka vendosur që “të forcojë edhe më tej” forcat e saj në sektorin e Pokrovskut.

Ai tha se ky sektor po përballet me valën më të ashpër të sulmeve ruse, por parashikoi se Rusia do të duhet të sakrifikojë dhjetëra mijëra trupa për të arritur qëllimet e saj.

Zona përreth Pokrovskut është shtëpi e disa ndërtesave industriale që me gjasë do të përdoren nga ushtria ukrainase për të mbrojtur qytetin, edhe pse Rusia me gjasë do të përdorë bombat shkatërruese rrëshqitëse kundër tyre.

Ndërkaq, forcat ukrainase po tentojnë të zgjerojnë kontrollin e tyre ndaj territorit që kanë marrë në rajonin perëndimor rus të Kurskut, pasi nisën një ofensivë të befasishme më 6 gusht. Një nga qëllimet e deklaruara për këtë ofensivë është thënë se është që Rusia të detyrohet të largojë forcat e saj nga fronti lindor për të lehtësuar presionin në vendet sikurse Pokrovsku.

Por, shefi i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi, tha më 27 gusht se Moska e ka kuptuar qëllimin e Kievit dhe ka vazhduar të përqendrojë përpjekjet e saj në Pokrovsk, ku, sipas tij, gjenden njësitë më të afta të ushtrisë së Rusisë.

Syrskyi tha se forcat ukrainase po punojnë në pozicionet mbrojtëse në këtë zonë.

Si duket tani Pokrovsku?

Flamuri ukrainas vazhdon të valojë në Pokrovsk dhe disa banorë vazhdojnë të evakuohen drejt perëndimit përmes trenave dhe me automjete, teksa të tjerët tentojnë të jetojnë në këtë vend dhe hezitojnë të largohen.

Gjatë një vizite më 23 gusht në Pokrovsk, gazetarët panë shumë ndërtesa që kishin dritare të mbyllura, ndërkaq Universiteti Kombëtar Teknik i Donjeckut kishte hyrjen e mbuluar me mbeturina dhe me copëza të raketave, pas një sulmi raketor rus i kryer më herët gjatë këtij viti.

Edhe ndërtesa të tjera kishin dritare të thyera dhe fasadat e disa të tjerave ishin të dëmtuara rëndë. Zhurmat e granatimeve të kohëpaskohshme mund të dëgjoheshin në distancë, pensionistet u panë duke shitur perime në rrugë, teksa raftet në dyqanet ushqimore po zbrazeshin, me qëllim që të mbyllen për shkak të avancimit të trupave ruse.

Një grua zbraz raftet e një dyqani ushqimor në Pokrovsk më 23 gusht 2024.

Vadym Filashkin, guvernator i Donjeckut, tha më 19 gusht se afër 4.000 fëmijë ishin në mesin e 53.000 personave që ende jetojnë në zonën e Pokrovskut. Ai urdhëroi evakuimin e fëmijëve nga Pokrovsku dhe rrethina po të njëjtën ditë.

Në këtë qytet, banorët kanë thënë se që një kohë të gjatë nuk kanë furnizim me energji elektrike dhe ujë./Radio Evropa e Lirë



Skip to toolbar