Administrimi i Kurum nga mbështetësi i Gazment Bardhit shpjegon edhe arsyen se perse Partia Demokratike ka zgjedhur të heshtë, ndërsa kompanisë turke i ka plasur skandali.
Prej gati 10 vitesh, Lorenc Hastopalli, drejtuesi i fushatës elektorale të Bardhit në zgjedhjet e 25 prillit në Elbasan, figuron të jete drejtues i “Kurum” me aktivitet prodhimin dhe tregtimin e energjisë.
Interesat e Partisë Demokratike me Kurum i ka rrënjët e thellë që nisin në vitin 2013, kur ish-kryeministri Sali Berisha i shiti katër hidrocentrale kësaj kompanie.
Avokati Romeo Kara i ftuar në “Ora e Fundit” në ABC News, komentoi zhvillimet e fundit rreth kësaj kompanie, ndërsa tha se heshtja e PD-së nuk është e rastësishme.
Sipas tij, opozita e tanishme ka kusure dhe zullume të përbashkëta me këtë kompani dhe në këtë kuadër, nuk ka se si të interpretohet ndryshe heshtja e tyre.
“Janë të zhytur në mënyrën se si kanë menaxhuar pasuritë shqiptare. Ata janë bërë zëdhënës në mënyrë të drejtpërdrejtë të korrupsionit në Shqipëri dhe janë të lidhur me oligarkinë financiare dhe me personat që kanë kryer zullume.
I kanë dhënë Kurum katër hidrocentrale. Duhet parë se çfarë luhet. opozita reale ka ngelur në individë të veçantë. Kjo është një fatkeqësi. Kjo opozitë ka kusuret e saj me Kurumin e djeshëm, ata kanë qenë bashkë.
Ky nuk është hamendësim, por është një konstatim. Ata janë bashkë. Janë një trup. Për çfarë duhet opozita kur nuk flet për këtë. Reagimet e saj do të jenë në të njëjtin standard; kakarisje nga rruga “Mustafa Metohiti”, tha ai.