Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, theksoi se Kosova nën drejtimin e kryeministrit Albin Kurti ka ndryshuar kurs politik duke krijuar një klimë përplasjesh me aleatët strategjikë, me SHBA dhe Bashkimi Evropian.
“Ka ndryshuar tërësisht kurs, që ka pasur Kosova që para luftës, pas dhe deri në konsolidim të shtetit tonë. Kjo qeveri, ka pasur sjellje të papërgjegjshme, një diplomaci në kushte e pavetëdijshëm. Sjellje diletante të kësaj qeverie, në raport me obligimet që ka shteti i Kosovës’, theksoi ai.
Ai theksoi se Albin Kurti dhe mbështetësit e tij nuk e kanë fare konceptin e sovranitetit dhe të shtetit.
Sipas Limajt, Kurti dhe përkrahësit e tij mendojnë dhe besojnë se shteti mbahet me fjalë boshe e pallavra politike, por kjo qasje shtoi ai e ka çuar Kosovën në një rrugë qorre, sidomos në rrafshin dhe kursin politik me aleatët strategjikë.
“Kosova ka hyrë në një eksperiment pa kokë, por këta njerëz nuk e dinë se çfarë është sovraniteti dhe shteti. Ata kanë qenë kundër rrjedhës së duhur të historisë tonë. Një njeri që i është shmangur lirisë së vendit të vend. Bashkimi Kombëtar me llafe dhe pallavra nuk bëhet. Ne i duam fjalët e mira, fjalët e bukura, por historia ka treguar se për këto njerëz, kombi ynë nuk ka parë hajër’, tha ai.
Ai komentoi vizitën e shefit të CIA-s, William Burns në Kosovë, ndërsa tha se në takim me Kurtin, ky i fundit me siguri ka marrë mesazhet që duhet të merrte, sa i takon kapriçove të njëanshme, shumë të kritikuara për hapjen e urës së Ibrit. Limaj shtoi se Albin Kurti i ka kaluar ‘vijat e kuqe’ me të gjithë, përfshirë dhe me Shqipërinë, madje e cilësoi atë “si antishqiptar dhe neojugosllav”.
“Vizita e tij, është tregues i qartë. Ky fjalë mendon se është lojë se mund t’ju shesë llafe dhe pallavra. Ka marrë atë që duhet të merrte.Pavarësia e Kosovës është e lidhur ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. Ky është një bekim për ne. Kemi njerëz në krye të shtetit që nuk dinë të lexojë ndryshimet. Ky njeri ka shkelur vijën e kuqe më të gjithë. Ky njeri s’ka besuar asnjëherë që Kosova bëhet e pavarur. Ai ka mbajtur qëndrime të kundërta, me atë që ka ndodhur sot në Kosovë. Kosova asnjëherë në duar të pasigurta, siç është sot. Kosova dhe Shqipëria nuk i kanë pasur marrëdhëniet me të ulëta se sot”, tha ai.
Ai komentoi dhe vendimin e Kurtit, për të rritur pagën minimale, disa muaj para zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Sipas Limajt, ky është mashtrimi i radhës për qytetarët e Kosovës.
“Mashtrim i radhës. Kosova ka potencial ta ketë 500 euro ta ketë pagën minimale. Nuk ka investime dhe s’ka si të rritet GPD. Nuk ka asnjë investim i huaj direkt që vjen në Kosovë”, tha ai.